Në fund të mandatit të Angela Merkel në mediat gjermane janë duke u botuar me qindra shkrime, bilance dhe analiza, psikograme dhe portrete, reportazhe dhe ese. Të gjitha i kushtohen fenomenit Merkel. Si arriti të qeverisë 16 vjet Gjermaninë?
Në disa shkrime të revistës “Der Spiegel” jepen shpjegime të vlefshme. Për shembull: strategjia e demobilizimit asimetrik që Merkel e ka përdorur kundër rivalëve, kundërshtarëve, sfiduesve. Ndërsa ata e kanë kritikuar dhe kanë kërkuar të grinden me të, Merkel i ka injoruar. Njëkohësisht ka shmangur çdo provokim në drejtim të kundërshtarit politik. Në duelin televiziv me socialdemokratin Peer Steinbrück në vitin 2013, Merkel iu drejtua shikueseve dhe shikuesve me këto fjalë: “Ju më njihni mua”. Domethënë: unë s'bëj eksperimente. Ajo fitoi.
“Der Spiegel” numëron tri kategori humbësish që ka prodhuar Merkel në dy dekadat e fundit. Një kategori e ka mposhtur në zgjedhje, ata janë kundërshtarët e saj socialdemokratë (Schröder, Steinmeier, Steinbrück, Schulz). Kategoria tjetër janë rivalët brenda partisë si Friedrich Merz dhe Norbert Röttgen. Në vitin 2002 Merkel ia mori Merzit postin e shefes së Grupit Parlamentar. Më parë Merkel e përkrahu Edmund Stoiberin nga partia simotër CSU në garën për kancelar - me kusht që ai pastaj ta përkrahë Merkelin për funksionin e shefes së Grupit Parlamentar të CDU dhe CSU. Stoiber humbi, por Merkel përfitoi nga premtimi i tij. Norbert Röttgen ishte ministër i Ambientit në kabinetin e Merkelit dhe mendonte se do të ishte kancelar më i mirë. Merkel mori vesh për ambiciet e tij dhe e dëboi nga kabineti. Por jo vrazhdë, ajo priti derisa Norbert Röttgen i humbi zgjedhjet në Nordrhein-Westfalen. Kjo ishte arsyeja formale.
Kategoria e tretë e humbësit përbëhet prej një personi: Helmut Kohlit. Më 1999, kur Kohl ishte pa pushtet (humbi zgjedhjet më 1998), u zbulua një aferë me donacione e partisë CDU. Kohl nuk bashkëpunoi me partinë për të zbuluar aferën. Merkel e zgjodhi udhën e përballjes frontale me patriarikun e partisë: përmes gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ajo i bëri thirrje CDU-së t'i ndajë rrugët me Helmut Kohlin. Partia, shkroi Merkel, duhet të mësohet të ecën vetë. Ky konfrontim çoi në distancimin e partisë nga Kohli, përkundër meritave të tij historike siç ishte bashkimi i Gjermanisë.
Në fushatën elektorale Merkel u përpoq të shmang çdo ballafaqim, në betejat për pushtet ajo goditi me vendosmëri, shpejt dhe ashpër.
Në një shkrim të gjatë “Der Spiegel” ka analizuar shejat, simbolet, rekuizitat e pushtetit të kancelares Merkel. Kur s'dinte ç'të bënte me duart, Merkel e bënte rombin (Raute në gjermanisht). Winston Churchilli u bë i njohur me dy gishtat e ngritur në ajër - shenja e fitores. Ibrahim Rugova shenjë dalluese e kishe shallin e mëndafshit. Nelson Mandela këmishat shumëngjyrëshe. Merkel i bashkonte duart dhe krijonte një rombi. Veshja e saj gjatë kohës sa ishte kancelare: e thjeshtë - pantallona dhe sako. Gazetarët janë përpjekur shpesh që në bazë të ngjyrës së sakos që bartte Merkel të analizojnë disponimin e kancelares. Rrallëherë ia kanë qëlluar. Çanta e saj: një model francez, jo aq i njohur, jo aq i shtrenjtë, por po ashtu jo aq i lirë, gjithsesi pa ekstravagancë që i bie në sy çdokujt.
Kur u bë kancelare më 2005, telefoni mobil nuk luante një rol të madh në përditshmërinë njerëzore siç luan sot. Ndërkohë gjërat kanë ndryshuar. Njëherë Merkel ka treguar se kur nuk e shikon telefonin për një orë, aty i gjen së paku 30 mesazhe të palexuara. Publikisht dihet për dy përvoja të këqija të Merkelit me telefonin e saj. Përvoja e parë e keqe: shërbimi sekret amerikan NSA përgjoi telefonin e Merkelit. Kjo ndodhi gjatë kohës kur Barack Obama ishte president. Merkel protestoi me zë të thartë, duke thënë se përgjimet mes miqve janë të papranueshme. Obama buzëqeshi, mbase jo pa cinizëm. Përvoja e dytë e keqe: më 2010 “Der Spiegel” botoi një SMS, të cilin Merkelit ia kishte shkruar shefi i socialdemokratëve gjermanë Sigmar Gabriel, ku kishte propozuar Joachim Gauckun për president të Gjermanisë. Merkel u përgjigj shkurt: “Faleminderit për informatën dhe përshëndetje të përzemërta am”.
Merkel ishte gruaja e parë në postin e kancelarit, por ajo nuk është feministe. Kësaj teme i ka ikur shpesh. Megjithatë, qeverisja e saj ka ndikuar në praninë e grave në jetën publike. Më 25 korrik, nëntë javë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, Merkel bashkë me burrin e saj vizitoi për herë të fundit si kancelare festivalin e muzikës në Bayreuth. Operën “Holandezi fluturues” të Richard Wagnerit e dirigjoi një grua - për herë të parë në historinë 145-vjeçare të festivalit. Angela Merkel bëri këtë koment: “Më në fund”.
Alexander Osang, një gazetar i “Der Spiegel”, i cili më shumë se 20 vjet e ka përcjellë Merkelin dhe ka shkruar portrete të saj, në një bilanc përfundimtar nënvizon se Merkel nuk është politikane e gjesteve hipokrite. “Ajo duket e zemëruar, kur është e zemëruar, kur qesh, qesh. Ajo duket se e thotë atë në çka beson se është e drejtë”. Kështu po largohet nga skena e madhe e politikës.