Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka kritikuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për ta mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë, duke e cilësuar si veprim jokushtetues dhe jashtë logjikës institucionale.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për konsolidim institucional, ndërsa veprimet e fundit të institucioneve kryesore po e minojnë këtë proces.
“Si mund të jepet mandatimi pa e garantuar shumicën? Në të drejtën kushtetuese nuk provohen faktet, por garantohen. Shteti nuk provon, shteti shkon në të sigurt”, deklaroi Hyseni në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai theksoi se qëllimi i nenit 95 të Kushtetutës është formimi i qeverisë, e jo krijimi i pengesave për të.
“Presidentja ka autorizime për të garantuar procesin. Nuk mund të jepet dekret me vetëdije duke e ditur se do të dështojë. Kjo do të thotë shmangie nga përgjegjësia kushtetuese”, shtoi ai.
Sipas profesorit, rruga drejt zgjedhjeve të parakohshme duhej të kalonte përmes Kuvendit, ashtu siç e përcakton neni 82, që kërkon shumicën prej dy të tretash për shpërndarjen e tij.
“Nuk është dashur të krijohen praktika jokushtetuese që mund të keqpërdoren në të ardhmen”, paralajmëroi Hyseni.
Vendimi i presidentes për ta mandatuar Konjufcën erdhi më 4 nëntor, pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti dështoi më 26 tetor ta sigurojë shumicën në Kuvend, duke marrë vetëm 56 nga 61 votat e nevojshme. Osmani ka thënë se u bind nga partia e parë se ekzistojnë gjasat për formimin e qeverisë në tentativën e dytë, duke theksuar se “presidentes nuk i duhen garanci, sepse ato kërkohen në Kuvend”.
Sipas Kushtetutës, mandatari i dytë ka 15 ditë kohë për ta thirrur seancën dhe tentuar formimin e qeverisë.