Botë

Milei fiton bindshëm në zgjedhjet e mesmandatit në Argjentinë

Javier Milei

Foto: Associated Press

Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, e ka udhëhequr partinë e tij drejt një fitoreje dërrmuese në zgjedhjet e mesmandatit të cilat u mbajtën të dielën, pas dy vjetëeve të para të presidencës së tij, raportoi të hënën BBC-ja.

Partia e tij, La Libertad Avanza, fitoi gati 41% të votave, duke marrë 13 nga 24 ulëset në Senat dhe 64 nga 127 ulëse në Dhomën e Ulët që ishin në garë.

Fitorja e tij do ta bëjë më të lehtë për presidentin që të ecë përpara me programin e tij për të ulur shpenzimet shtetërore.

Përpara votimit, aleati i Mileit, Donald Trump, e bëri të qartë se ndihma prej 40 miliardë dollarësh e njoftuar së fundmi nga SHBA-ja për Argjentinën do të varej nga ruajtja e momentumit politik të Mileit.

Mbështetësit e Mileit e mirëpritën këtë, megjithëse kritikët akuzuan Donald Trumpin për ndërhyrje të huaja në zgjedhjet e Argjentinës.

Para këtyre zgjedhjeve, partia e tij ka pasur vetëm shtatë vende në Senat dhe 37 vende në Dhomën e Ulët.