Botë

Ministri gjerman në Kiev: Ukraina mund të llogaritë në ne

Lars Klingbeil

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin duhet të jetë i vetëdijshëm se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën nuk po zvogëlohet, ka thënë të hënën ministri i Financave dhe zëvendëskancelari gjerman, Lars Klingbeil, pas mbërritjes në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, në një vizitë të paparalajmëruar.

"Putin nuk duhet të ketë iluzione se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën mund të shkatërrohet", ka thënë Klingbeil, kreu i Partisë Socialdemokrate që është partneri i vogël në qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga konservatorët e kancelarit, Friedrich Merz.

"Përkundrazi, ne mbetemi mbështetësi i dytë më i madh i Ukrainës në të gjithë botën dhe më i madhi në Evropë", ka thënë Klingbeil. "Ukraina mund të vazhdojë të mbështetet te Gjermania".

Klingbeil i ka kërkuar Putinit të tregojë interes për një proces paqeje në luftën më vdekjeprurëse të Evropës në 80 vjet që shpërtheu në shkurt të vitit 2022.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka bërë presion për një përfundim të shpejtë të luftës, por Kievi dhe aleatët e tij janë të shqetësuar se ai mund të detyrojë një marrëveshje sipas kushteve të Rusisë.

Klingbeil ka thënë se Ukraina duhej të përfshihej në bisedime dhe se duhej të kishte një armëpushim dhe garanci të besueshme sigurie për një paqe të qëndrueshme.

"Për këtë qëllim, ne po koordinohemi ngushtë ndërkombëtarisht”, ka shtuar ai.

Midis opsioneve të paraqitura këtë javë për sigurinë e Ukrainës pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje, si presidenti francez, Emmanuel Macron ashtu edhe kryeministri britanik, Keir Starmer mbështetën vendosjen e trupave si pjesë e një koalicioni të të vullnetshmëve.

Sipas ministrisë së Klingbeil, qeveria gjermane ka mbështetur Ukrainën me 50.5 miliardë euro që nga fillimi i luftës.