Moska zyrtare ka thënë të mërkurën se qëndrimi i saj për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk ka ndryshuar që kur presidenti, Vladimir Putin vendosi kushtet e tij vitin e kaluar.
Ato janë: tërheqje e plotë e forcave të Kievit nga rajonet kryesore të Ukrainës dhe braktisja e ambicieve të saj për anëtarësim në NATO.
Putini dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump do të takohen të premten në Alaska, takimi i parë amerikano-rus që nga viti 2021, për të diskutuar përpjekjet për t'i dhënë fund luftës. Trumpi ka thënë se të dyja palët do të duhet të shkëmbejnë një pjesë të territorit që aktualisht mbajnë, për ta bërë këtë të ndodhë.
Rusia aktualisht kontrollon 19% të Ukrainës, duke përfshirë të gjithë Krimenë, të gjithë Luhanskun, më shumë se 70% të rajoneve të Donetskut, Zaporizhzhisë dhe Khersonit, dhe pjesë të rajoneve të Kharkivit, Sumit, Mykolaivit dhe Dnipropetrovskit.
Pas raportimeve nga disa media se Uashingtoni e kuptoi që Putini ishte gati të bënte kompromis mbi kërkesat e tij territoriale, zyrtari i ministrisë së Jashtme ruse, Alexei Fadeev, u pyet nga gazetarët nëse qëndrimi i Rusisë kishte ndryshuar apo jo.
"Qëndrimi i Rusisë mbetet i pandryshuar dhe u shpreh në këtë sallë pak më shumë se një vit më parë, më 14 qershor 2024", ka thënë Fadeev, duke iu referuar një fjalimi që Putini ka mbajtur atëherë në ministrinë e Jashtme.
Në atë kohë, në deklaratat e tij më të plota publike deri më tani në lidhje me formën e një zgjidhjeje të mundshme, shefi i Kremlinit kishte paraqitur kërkesa, duke përfshirë tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesët e Donetskut, Zaporizhzhisë dhe Khersonit që ata ende kontrollojnë.
Putini kishte thënë gjithashtu se Kievi do të duhej të njoftonte zyrtarisht Moskën se po braktiste planet e saj për t'u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja dhe se synonte të mbetej neutrale dhe e paangazhuar.
Për më tepër, Putini kishte thënë se të drejtat dhe liritë e rusishtfolësve në Ukrainë do të duhej të siguroheshin.
Ukraina ka thënë vazhdimisht se nuk do ta njohë kurrë pushtimin rus të tokës së saj dhe shumica e vendeve e njohin territorin e Ukrainës brenda kufijve të saj të vitit 1991. Bazuar në vijat aktuale të frontit, Moska do të kërkonte që Ukraina t’i lëshonte Rusisë 21,000 km katrorë shtesë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia duhet të bjerë dakord për një armëpushim përpara se të diskutohen çështjet territoriale. Ai ka thënë se do të refuzoj çdo propozim rus që Ukraina të tërheqë trupat e saj nga rajoni lindor i Donbasit dhe të lëshojë vijat e saj mbrojtëse.
