Botë

Moska i quan të parëndësishme mendimet e Merzit për luftën në Ukrainë

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Kremlini ka thënë të mërkurën se pikëpamjet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz mbi bisedimet e paqes në Ukrainë duhet të shpërfillen pasi ai ka bërë atë që Moska e ka quajtur një seri vërejtjesh "të pafavorshme" në lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin.

Merzi ka thënë në një intervistë me transmetuesin ProSieben.Sat1 se Putini ishte "ndoshta krimineli më serioz i luftës i kohës sonë" dhe se nuk ka vend për butësi për individë të tillë.

Kremlini mohon se forcat e tij kanë kryer ndonjë krim lufte në Ukrainë.  Kremlini po ashtu ka hedhur poshtë si "skandaloz" një urdhërarresti të vitit 2023 të lëshuar për Putinin nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila akuzoi udhëheqësin rus për krimin e luftës të rrëmbimit të qindra fëmijëve nga Ukraina.

I pyetur gjatë një udhëtimi në Kinë në lidhje me një propozim nga Merzi që Gjeneva të jetë vendi i bisedimeve të paqes Ukrainë-Rusi, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë se  "Merzi ka bërë shumë deklarata të pafavorshme në orët e fundit, kështu që është vështirë të merret parasysh mendimi i tij në këtë moment”.

“Ai (Putini) është një kriminel lufte. Ai është ndoshta krimineli më serioz i luftës i kohës sonë. Dhe thjesht duhet të jemi të qartë se si veprohet me kriminelët e luftës”, ka thënë Merzi në intervistën e tij në televizionin gjerman.