Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Myslimanët nëpër botë e shënojnë Fitër Bajramin nën hijen e luftërave dhe pasigurisë

myslimanët

Foto: Associated Press

E në disa pjesë të botës, festa e Fitër Bajramit është shënuar nën hijen e luftërave dhe të pasigurisë. Në Gazën e rrënuar nga lufta, besimtarë myslimanë i kujtuan familjarët që nuk u jetojnë më. E ata në Kajro të Egjiptit, shprehën shqetësim për tensionet rajonale të shkaktuara nga luftërat në Lindje të Mesme

Derisa besimtarë myslimanë në mbarë botën e festuan Fitër Bajramin me mesazhe për paqe, falje dhe solidaritet, në disa pjesë kjo ditë është shënuar nën hijen e konflikteve dhe pasigurisë.

Në Gazë, palestinezët e zhvendosur Bajrami i ka pritur mes rrënojave të luftës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për herë të parë që nga nisja e luftës me Izraelin më 2023, falja e namazit të Bajramit në këtë qytet u mbajt në oborrin e xhamisë qendrore Saraya e ku besimtarë myslimanë shprehën pikëllim për familjarët e vdekur.“Ky është një Bajram i trishtimit. Nuk kemi parë kurrë një Bajram sikurse ky. Disa kanë humbur babanë, djalin, nënën apo më të dashurit e tyre. Ky quhet Bajrami i ngushëllimeve. Për ne nuk ka gëzim”, është shprehur Mona Al-Joujou, banore e zhvendosur palestineze.

Në Jerusalem, besimtarë myslimanë u detyruan të falen jashtë mureve të Qytetit të Vjetër, pasi autoritetet izraelite ua ndaluan hyrjen në Xhaminë Al-Aksa.

Për herë të parë pas dekadash, falja e namazit të Bajramit nuk u lejua në këtë vend të shenjtë, shkaku i kufizimeve të vendosura gjatë luftës. E autoritetet izraelite njoftuan edhe për mbylljen e vendeve të tjera të shenjta në këtë zonë, me justifikimin e ruajtjes së sigurisë publike.

E në Egjipt, besimtarët myslimanë e shënuan Bajramin me faljen e namazit në xhaminë qendrore të Kajros dhe me vizita te familjarët. Por disa prej tyre shprehën shqetësim për tensionet rajonale të shkaktuara nga luftërat në Lindjen e Mesme.

“Bota jashtë është përplot me luftë; të gjitha vendet po luftojnë dhe po e sulmojnë njëra-tjetrën. Por këtu nuk e kemi këtë dhe atmosfera është shumë ndryshe. Egjipti është gjithmonë i sigurt” , ka theksuar Manar Fayez, banore e Kajros.

Në Bosnjë-Hercegovinën që prej vjetësh ka dalë nga lufta, besimtarë myslimanë e lutën për solidaritet dhe për viktimat e luftës në Lindjen e Mesme nga xhamia qendrore në Sarajevë, që u mbush përplot si brenda ashtu edhe jashtë objektit.

Edhe në Tiranë të Shqipërisë, me qindra e mijëra qytetarë iu drejtuan që në orët e para të mëngjesit Sheshit “Skënderbej”, ku u organizua ceremonia qendrore e faljes së namazit nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

E në Afganistan, festa e Fitër Bajramit u shënua me ndjenja të përziera shkaku i tensioneve që ky shtet i ka me Pakistanin fqinj. Dy vendet janë dakorduar së fundi për armëpushim të përkohshëm, pas përshkallëzimit të dhunës. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Arabisë Saudite, Turqisë dhe Katarit, në prag të Bajramit.

Fitër Bajrami, që e shënon përfundimin e muajit të agjërimit për Ramazan, festohet nga rreth 1.9 miliard myslimanë në mbarë botën, duke e bërë këtë një nga ngjarjet fetare më të përhapura globalisht.

Nga vendet e Azisë, ato të Afrikës e deri në Evropë, kjo festë shoqërohet me rite fetare, me vizita te familjarët dhe me akte bamirësie.