Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Nëna që shkroi libër për dhimbjen e fëmijëve pas vdekjes së babait shpallet fajtore për vrasjen e tij

Kouri Richins

Një juri në Utah shpalli Kouri Richins fajtore për vrasjen e bashkëshortit të saj me fentanil, duke mbyllur një gjyq që zbuloi probleme në martesë, borxhe të mëdha dhe dyshime për përfitime financiare. Prokurorët e paraqitën rastin si një krim të paramenduar, ndërsa mbrojtja këmbënguli se provat janë të pamjaftueshme dhe të bazuara në supozime

Një juri në Utah e shpalli Kouri Richins fajtore për vrasje dhe për të gjitha akuzat e tjera që rëndonin mbi të, lidhur me vdekjen e bashkëshortit të saj, Eric Richins, në vitin 2022, i cili humbi jetën nga një dozë vdekjeprurëse e fentanilit.

Juria, e përbërë nga tetë anëtarë, mori vendimin pas rreth tre orësh diskutimi, menjëherë pasi dëgjoi argumentet përmbyllëse të hënën. Përveç vrasjes së rëndë, Kouri Richins u shpall fajtore edhe për tentativë vrasjeje të rëndë, për një përpjekje të dështuar për ta vrarë bashkëshortin e saj në Ditën e Shën Valentinit, disa javë para vdekjes së tij. Ajo u dënua gjithashtu për falsifikim dhe dy akuza për mashtrim me sigurimet, që lidhen me policat e sigurimit të jetës së Eric Richins.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nëna e tre fëmijëve, e cila kishte botuar një libër për fëmijë mbi përballimin e dhimbjes nga fëmijët pas humbjes së babait të tyre, uli kokën kur vendimi i fajësisë u lexua në sallën e gjyqit. Ajo mund të përballet me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, që është dënimi maksimal për akuzën e vrasjes. Seanca për caktimin e dënimit është planifikuar të mbahet më 13 maj.

Gjatë 13 ditëve të gjykimit, prokuroria paraqiti mbi 40 dëshmitarë, të cilët folën për problemet në martesën e çiftit, lidhjen jashtëmartesore të saj dhe borxhet prej miliona dollarësh - faktorë që, sipas prokurorisë, përbënin motivin për helmimin fatal të bashkëshortit.

“Ajo nuk kishte para për t’u ndarë nga Eric dhe as për ta shpëtuar biznesin e saj”, tha prokurori Brad Bloodworth në fjalën përmbyllëse, duke e përshkruar të pandehurën si një person shumë ambicioz, të prirë për të marrë rreziqe dhe të fokusuar në ruajtjen e imazhit të suksesit dhe mirëqenies. “Kouri Richins është jashtëzakonisht ambicioze. Ajo merr rreziqe. Kishte vetëm një rrugë përpara – Eric duhej të vdiste”.

Eric Richins u gjet i vdekur në shtëpinë e çiftit në Kamas, Utah, në orët e para të mëngjesit të 4 marsit 2022. Autopsia tregoi se ai kishte në organizëm rreth pesëfishin e dozës vdekjeprurëse të fentanilit.

Rreth një vit pas vdekjes së bashkëshortit, Kouri Richins botoi një libër për fëmijë për të ndihmuar tre djemtë e tyre të përballonin humbjen e të atit. Vetëm disa javë pasi u shfaq në një emision lokal televiziv për të promovuar librin, ajo u arrestua dhe u akuzua për vrasje të rëndë.

Mbrojtja e mbylli çështjen e saj ditë më parë, pa thirrur asnjë dëshmitar. Avokatët e Kouri Richins argumentuan se ajo ishte bërë padrejtësisht përgjegjëse për vdekjen e bashkëshortit, si pasojë e një hetimi të dobët dhe të njëanshëm.

“Ata nuk mund të shpjegojnë se si Eric e mori fentanilin”, tha avokatja mbrojtëse Wendy Lewis në argumentin përmbyllës. “Nuk e kanë bërë detyrën e tyre dhe tani kërkojnë që ju të nxirrni përfundime mbi prova shumë të dobëta”.

Pas shpalljes së vendimit, njëra nga motrat e Eric Richinsit falënderoi të gjithë ata që “punuan pa u lodhur për të sjellë drejtësi për Ericun”.

“Tani fokusi ynë është të nderojmë jetën e Ericut dhe të mbështesim djemtë e tij, ndërsa të gjithë përpiqemi të shërohemi”, tha Amy Richins jashtë gjykatës në Park City.

Në një deklaratë për CNN përpara shpalljes së vendimit, ekipi mbrojtës i Richinsit tha se prokuroria nuk kishte arritur të dëshmonte fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

“Gjatë javëve të fundit, juria ka pasur mundësinë të dëgjojë provat e plota - jo titujt e mediave apo spekulimet, por faktet”, thuhej në deklaratë. “Ne besojmë në sistemin e jurisë dhe i besojmë procesit. Kouri duhet të jetë në gjendje të kthehet tek tre djemtë e saj dhe të nisë rindërtimin e jetës së saj”.

Kouri Richins ishte e pakënaqur në martesë

Gjatë gjyqit, prokuroria argumentoi se Kouri Richins e vrau bashkëshortin për të përfituar financiarisht nga vdekja e tij dhe sepse ishte e pakënaqur në martesë.

Juria pa dhjetëra mesazhe me përmbajtje të ngrohtë dhe intime mes Richins dhe të dashurit të saj të atëhershëm, Robert Josh Grossmann. Në disa prej tyre, e pandehura shprehej se ëndërronte për një të ardhme së bashku me të, megjithëse Grossmann dëshmoi se kjo ide ishte më shumë fantazi sesa realitet.

Disa dëshmitarë folën për tensione në marrëdhënien mes bashkëshortëve Richins. Dy miq treguan se Kouri Richins u kishte thënë se ndihej “e bllokuar” në martesën e saj.

“Ajo ishte e pakënaqur”, tha prokurori Bloodworth të hënën. “Ajo donte të largohej nga Eric Richins, por nuk donte të hiqte dorë nga paratë e tij”.

Megjithëse miqtë e saj mendonin se Kouri Richins kishte sukses financiar, një kontabilist forensik dëshmoi se biznesi i saj i pasurive të paluajtshme, i bazuar në blerje dhe rishitje shtëpish, ishte “në kolaps”. Sipas tij, vetëm një ditë pas vdekjes së bashkëshortit, ajo kishte rreth 1.6 milionë euro borxhe më shumë se sa asetet që zotëronte.

Jeta e Eric Richins ishte e siguruar për rreth 2.2 milionë dollarë përmes disa sigurimeve të jetës, përfshirë edhe një për të cilën prokurorët pretendojnë se Kouri Richins kishte aplikuar në mënyrë mashtruese.

Sipas një agjenti sigurimesh, kërkesa për sigurimin prej 100.000 dollarësh përmbante disa gabime, ndër to edhe një numër të pasaktë të sigurimeve shoqërore të Eric Richins.

Po ashtu, një ekspert i analizës së dokumenteve deklaroi se firma e Eric Richins në atë kërkesë ka shumë gjasa të mos jetë e tij, por e falsifikuar.

“Kouri Richins donte të vriste Eric Richins, ndaj mori një policë sigurimi mbi jetën e tij për të përfituar para nga vrasja”, i tha Bloodworth jurisë. “Pastaj ajo e vrau Eric Richins dhe më pas paraqiti kërkesën për të marrë paratë”.

Në argumentin e saj përmbyllës, avokatja Lewis kundërshtoi këtë version, duke thënë se Eric Richins do të ishte më i dobishëm financiarisht për bashkëshorten nëse do të ishte gjallë, pasi paratë e sigurimit nuk do të mbulonin të gjitha borxhet e saj.

“Kouri i shpenzoi paratë e sigurimit brenda pak javësh dhe përsëri mbeti në borxh”, tha ajo.

Prokurorët akuzuan gjithashtu Kouri Richins se kishte tentuar ta vriste bashkëshortin me një sandviç të helmuar në Ditën e Shën Valentinit 2022 - vetëm dhjetë ditë pasi kishte hyrë në fuqi një nga policat e sigurimit. Sipas dokumenteve të akuzës, atë ditë Eric Richins telefonoi dy miq dhe u tha se ndihej sikur po vdiste pasi kishte ngrënë sandviçin.

Disa javë më vonë, Eric Richins u gjet i vdekur. Sasia e fentanilit në trupin e tij, sipas prokurorit Bloodworth, “tregon se Kouri Richins donte që të bindej se Eric është i vdekur”.

Natën e vdekjes së tij, sipas një deklarate që Kouri Richins i dha policisë, çifti kishte konsumuar pije për të festuar një arritje në biznesin e saj të pasurive të paluajtshme. Shënime të gjetura në shtëpinë e tyre tregojnë se ata kishin pirë një koktej “Moscow Mule” dhe një “lemon drop”.

Në argumentin përmbyllës, Bloodworth pretendoi se Kouri Richins i kishte përdorur këto pije për t’i dhënë bashkëshortit dozën vdekjeprurëse të drogës, duke shtuar se ajo kishte “mësuar nga gabimi” i saj në Ditën e Shën Valentinit.

“Një sandviç mund të përzihet me fentanil, Eric mund ta hajë, të kuptojë që diçka nuk shkon dhe ta lërë mënjanë”, tha prokurori. “Por një ‘lemon drop’ pihet menjëherë - deri sa ta kuptojë, droga është tashmë në trupin e tij. Ndërsa ‘Moscow Mule’ për ta siguruar plotësisht rezultatin”.

Lewis e kundërshtoi këtë pretendim, duke theksuar se nuk kishte asnjë provë që fentanili ishte hedhur në pijet e Eric Richins.

“Këto janë vetëm argumente. Argumentet nuk janë prova”, tha ajo. “Prokuroria priti deri në fund për t’ju thënë: ‘Ajo e hodhi në pije’, pa asnjë provë që ta mbështesë këtë”.

Richins u përpoq t’ia hidhte fajin bashkëshortit

Carmen Lauber, një pastruese që kishte punuar për Kouri Richins, dëshmoi se në fillim të vitit 2022 ajo i kishte kërkuar disa herë pilula të paligjshme.

Sipas saj, ajo i kishte blerë këto pilula nga një burrë i quajtur Robert Crozier në një pikë karburanti në Draper, Utah, dy herë para vdekjes së Eric Richinsit dhe një herë tjetër menjëherë pas saj. Të dhënat e telefonave celularë treguan se si telefoni i Lauberit ashtu edhe ai i Crozierit ndodheshin pranë asaj pike karburanti më 11 shkurt, 26 shkurt dhe 9 mars 2022.

“Janë pikërisht këto droga të paligjshme që Kouri përdori për të vrarë Eric Richins”, tha prokurori Bloodworth.

Në argumentin e saj përmbyllës, avokatja mbrojtëse Lewis vuri në dyshim kujtesën dhe besueshmërinë e Lauberit, duke pretenduar se ajo thjesht përsëriste versionin e hetuesve për të shmangur ndëshkimin për akuza të tjera penale që nuk kishin lidhje me këtë çështje.

Një analist i forenzikës digjitale dëshmoi se mesazhet mes Lauberit dhe Kouri Richinsit nga fillimi i vitit 2022 ishin fshirë nga të dy telefonat. Megjithatë, hetuesit arritën të rikuperonin dhjetëra kërkime në internet nga një telefon që Kouri Richins kishte filluar ta përdorte në prill 2022. Këto kërkime përfshinin tema si fshirja në distancë e të dhënave nga telefoni, mënyra se si hetuesit rikuperojnë mesazhet e fshira, burgjet për gra në Utah dhe pagesat e sigurimeve të jetës.

Ndër kërkimet e bëra ishin: “cila është doza vdekjeprurëse e fentanilit”, “pasuria neto e Kouri Richins në Kamas” dhe “nëse dikush helmohet, si regjistrohet kjo në certifikatën e vdekjes”.

“Ajo nuk kërkoi se çfarë ndodh nëse dikush mbidozon aksidentalisht”, tha Bloodworth të hënën. “Ajo nuk kërkon për vdekje nga shkaqe të panjohura. Ajo kërkon për helmim, sepse kjo është ajo që ndodhi”.

Bloodworth i paraqiti gjithashtu jurisë një letër të shkruar me dorë, e gjetur në qelinë e burgut të Kouri Richins në shtator 2023. Sipas tij, letra përmbante një “histori të sajuar” që ajo donte që vëllai i saj t’ia përcillte avokatit të saj të atëhershëm, duke sugjeruar se Eric Richins i kishte kërkuar asaj të blinte drogë nga Carmen Lauber.

Megjithatë, gjatë gjithë hetimit për vdekjen e bashkëshortit, Kouri Richins nuk u kishte thënë kurrë autoriteteve se kishte blerë drogë për të, tha Bloodworth.

“Katër muaj pasi është arrestuar për vrasjen e Eric Richinsit, një vit e gjysmë pasi e vrau, ajo e di që ka blerë fentanil dhe duhet ta shpjegojë këtë”, tha ai. “Dhe si e shpjegon? Duke ia hedhur fajin Ericit”.

Nga ana tjetër, Lewis deklaroi se autoritetet nuk i hetuan plotësisht pretendimet në atë letër, sepse nuk po kërkonin prova që mund të vërtetonin pafajësinë e Kouri Richins.

“Është plotësisht e mundur që gjithçka që ajo ka shkruar në atë letër të jetë e vërtetë”, tha ajo.