Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lënë të nënkuptohet se fundmi se përpjekjet për armëpushim në Gaza tani janë përqendruar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të lironte pengjet e mbetura menjëherë, në vend që kjo të bëhej në faza, siç parashihej deri më tani.
Zyrtarët arabë i kanë thënë Associated Press javën e kaluar se ndërmjetësit Egjipti dhe Katari po përgatisnin një kornizë të re për një marrëveshje që do të përfshinte lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura menjëherë në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm dhe tërheqjes së forcave izraelite.
Bisedimet indirekte afatgjata duket se dështuan muajin e kaluar. Por një delegacion i Hamasit ka mbërritur në Kajro për bisedime për armëpushim të martën, ka raportuar kanali shtetëror i lajmeve Qahera i Egjiptit, duke shënuar një shenjë se përpjekjet nuk janë braktisur pas 22 muajsh lufte.
Izraeli ka kërcënuar të zgjerojë ofensivën e tij ushtarake kundër Hamasit në zonat e Gazës që ende nuk i kontrollon dhe ku shumica e 2 milionë banorëve të territorit kanë kërkuar strehim.
Këto plane kanë shkaktuar dënime ndërkombëtare dhe kritika brenda Izraelit, teksa shihen si përpjekje për të rritur presionin mbi Hamasin për të arritur një armëpushim. Militantët ende mbajnë 50 pengje të marra në sulmin e 7 tetorit 2023 që shkaktoi luftën. Izraeli beson se rreth 20 prej tyre janë gjallë.
Në një intervistë me rrjetin izraelit i24 News të transmetuar të martën, Netanyahu është pyetur nëse dritarja ishte mbyllur për një marrëveshje armëpushimi të pjesshëm.
“Ne u përpoqëm, bëmë të gjitha llojet e përpjekjeve, kaluam nëpër shumë gjëra, por doli që ata thjesht po na mashtronin”, është shprehur Netanyahu.
“I dua të gjithë”, ka thënë ai për pengjet. “Lirimin e të gjithë pengjeve, të gjallëve dhe të vdekurve - kjo është faza në të cilën ndodhemi”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se kërkesat e Izraelit nuk kanë ndryshuar dhe se lufta do të përfundojë vetëm kur të gjithë pengjet të kthehen dhe Hamasi të jetë dorëzuar. Ai ka thënë se edhe atëherë, Izraeli do të mbajë kontroll të pakufizuar të sigurisë mbi territorin.
Hamasi ka bërë thirrje prej kohësh për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por thotë se do të lirojë pengjet e mbetura vetëm në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli, një armëpushim të qëndrueshëm dhe një tërheqjeje izraelite nga Gaza. Grupi militant ka refuzuar të dorëzojë armët, siç ka kërkuar Izraeli.