Botë

Netanyahu përplaset me Erdoganin për Hamasin

Të mërkurën, presidenti turk Erdogan e ka cilësuar Izraelin shtet terrorist, ndërkaq të premten kryeministri izraelit i është kundërpërgjigjur duke thënë se lideri turk po përkrah terroristët e Hamasit dhe se nuk mund të ligjërojë kur edhe ai vetë bombardon qytetet dhe fshatrat turke

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka akuzuar Turqinë për përkrahje të terroristëve si kundërpërgjigje ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili e ka cilësuar Izraelin shtet terrorist.

Netanhyahu ka thënë se Turqia është përgjegjëse për bombardimin e qyteteve dhe fshatrave të veta.

“E dini se ka forca që përkrahin terroristët dhe një prej tyre është edhe presidenti Erdogan i Turqisë, i cili e quan Izraelin shtet terrorist, por në fakt ai përkrah terroristët e Hamasit. Ai vetë ka bombarduar fshatrat turke, brenda vetë Turqisë, prandaj nuk do të pranojmë ligjërata nga ai. Ne jemi me ata që përkrahin drejtësinë dhe të vërtetën” , ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në një fjalim para partiakëve, Erdogani të mërkurën ka thënë se shteti i tij do të marrë masa që liderët politikë dhe ushtarakë të Izraelit të dalin para gjykatave ndërkombëtare.

“Izraeli është duke realizuar strategjinë e shkatërrimit total të qytetit të Gazës. Është duke kryer terrorizëm shtetëror me bomba mbi civilët pasi i detyroi të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Dhe tani, me lehtësi dhe hapur them se Izraeli është shtet terrorist”, ka thënë të mërkurën presidenti turk Erdogan.

Lideri turk vazhdimisht u është referuar militantëve të Hamasit si “luftëtarë të rezistencës” që po bëjnë përpjekje të mbrojnë tokat e tyre.

Kryeministri izraelit të premten ka pranuar se ushtria nuk ka qenë e suksesshme në minimizimin e vrasjeve të civilëve në Gaza, por për këtë ka fajësuar grupin e Hamasit.

Në një intervistë për CBS News, Benjamin Netanyahu ka thënë se Hamasi ka gjuajtur ndaj palestinezëve duke u munduar të marrë siguri.

Më shumë se 11,500 njerëz janë vrarë në Gaza, ka thënë Ministria e Shëndetësisë, qëkur Izraeli u fut në luftë pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor.

Netanyahu ka thënë se Izraeli do të “përpiqet ta përfundojë punën” e fshirjes së Hamasit në Gaza me viktima minimale civile.

“Këtë po përpiqemi të bëjmë: viktima minimale civile. Por, fatkeqësisht, nuk jemi të suksesshëm”, ka thënë ai.

“Çdo vdekje e civilëve është tragjedi. Nuk duhet të kemi asnjë, sepse po bëjmë gjithçka për të mos i dëmtuar civilët, ndërsa Hamasi po bën gjithçka që t’i dëmtojë”.

Të premten forcat izraelite kanë gjetur trupin e një gruaje që po mbahej peng nga Hamasi. Trupi i saj është gjetur afër spitalit Al-Shifa në Gaza.

Ajo është pengu i dytë që është gjetur i vdekur në dy ditët e fundit. Ushtari 19-vjeçar, Noa Marciano, ishte marrë peng nga militantët e Hamasit më 7 tetor. Ai është varrosur të premten.

Ndërkaq, dy shtëpi në lindje të lagjes Khan Younis në Gazë janë goditur nga raketat izraelite, duke lënë vrarë 11 anëtarë të një familjeje, të cilët kishin ikur nga zona e luftimeve në Gazë. Familja Tabatibi kishte ikur nga qyteti i Gazës në lagjen Khan Younis për shkak të luftimeve. Nga bombardimet izraelite në lagjen Khan Younis janë vrarë 35 persona.