A e dini se Barack Obama nuk ishte vetëm presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara, por edhe një nga presidentët më të rinj që ka shërbyer ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë?
Afro-amerikanët kanë përballuar vështirësi të shumta gjatë historisë, duke duruar stereotipe që i paraqisnin si inferiorë apo edhe si kriminelë. Megjithatë, ky artikull vë në pah disa individë të jashtëzakonshëm që i sfiduan këto stereotipe dhe lanë një gjurmë të pashlyeshme në botë.
Barack Obama
Një nga gjërat e para që e bën Obamën të dallohet mes presidentëve të tjerë amerikanë është fakti se ai ishte presidenti i parë afro-amerikan i SHBA-së, por kjo nuk e përkufizon tërësisht atë. Ai ishte gjithashtu një nga presidentët më të rinj të vendit, duke marrë detyrën në moshën 47-vjeçare.
Përveç përmirësimit të marrëdhënieve paqësore mes SHBA-së dhe vendeve të tjera, Obama prezantoi një sërë ligjesh që patën ndikim pozitiv në shoqërinë amerikane.

Michael Jordan
Gjatë karrierës së tij, Michael Jordan theksoi bukurinë e basketbollit përmes gjuajtjes së tij karakteristike “fadeaway”, atletizmit mahnitës dhe koshave vendimtarë. Si rezultat, basketbolli u bë shumë më popullor në mbarë botën.
Por nuk ishte vetëm sporti që përfitoi nga Jordan. Edhe ekonomia amerikane u ndikua nga madhështia e tij, pasi në vitin 1998 vlerësohet se rreth 10 miliardë dollarë të ekonomisë amerikane vinin nga biznese të lidhura me emrin e tij, shkruan TheFactSite.
Kjo shpjegon pse ai ishte një nga atletët më ikonik të kohës së tij në NBA.
Falë këtij suksesi financiar, Jordan u bë një nga atletët më të paguar dhe arriti të ndihmonte SHBA-të përmes donacioneve për organizata që mbështesin arsimin, shëndetësinë dhe luftën kundër racizmit.

Muhammad Ali
Ndryshe nga shumica e boksierëve të peshës së rëndë, stili i Aliut bazohej më shumë te shpejtësia, duke goditur kundërshtarët me një seri goditjesh që mund të shihen qartë vetëm në pamje me lëvizje të ngadalta.
Por Ali nuk la gjurmë vetëm në boks. Ai luajti gjithashtu një rol kyç në luftën kundër pabarazisë racore duke ndryshuar emrin e tij nga Cassius Clay (që ai e konsideronte një emër skllav) në Muhammad Ali.

Oprah Winfrey
Emisioni i Oprah Winfrey u adhurua nga publiku për plot 25 vjet, falë aftësive të saj të jashtëzakonshme në të folur dhe intervistim. Ky sukses afatgjatë e bëri atë një nga afro-amerikanet më të pasura dhe më me ndikim në Shtetet e Bashkuara.
Ajo nuk hezitoi kurrë të shprehte mendimet e saj, sidomos për çështje të rëndësishme shoqërore si abuzimi i fëmijëve dhe racizmi ndaj afro-amerikanëve.
Nuk është çudi që në vitin 2013 ajo u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil në SHBA.

Martin Luther King Jr.
Martin Luther King Jr., një aktivist i shquar social i lindur në Georgia, njihet më së shumti për udhëheqjen e tij në lëvizjen për të drejtat civile në Amerikë. Ai organizoi protesta të shumta paqësore, ndërsa fjalimi i tij “I Have a Dream” gjatë Marshimit të Uashingtonit në vitin 1963 mbetet një moment ikonik në histori.
Edhe pse ai luajti një rol shumë të rëndësishëm në avancimin e të drejtave civile, Akti i të Drejtave Civile i vitit 1964 ishte rezultat i një përpjekjeje kolektive.
Përkushtimi i Kingut dhe sakrificat personale vazhdojnë të frymëzojnë ata që luftojnë për drejtësi, barazi dhe të drejta civile sot.

Thurgood Marshall
Imagjinoni të refuzoheni nga një universitet vetëm sepse jeni me ngjyrë. Kjo është pikërisht ajo që i ndodhi Marshallit në vitet 1920, për shkak të ligjeve të njohuira si Jim Crow që legalizonin një gjë të tillë në SHBA.
Ai përfundoi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit Howard, i cili përbëhej kryesisht nga studentë afro-amerikanë.
Pjesën tjetër të jetës ia kushtoi luftës për të drejtat e afro-amerikanëve në gjykatë dhe përfundimisht, u bë gjyqtari i parë me ngjyrë i Gjykatës Supreme.

Mae Jemison
Kontributi i Jemison në historinë e afro-amerikanëve ishte vërtetë “jashtë kësaj bote”, pasi ajo u bë afro-amerikania e parë që udhëtoi në hapësirë në vitin 1992.
Edhe pse u largua nga NASA një vit më vonë, ajo vazhdoi të arrinte gjëra të mëdha: themeloi një kompani kërkimore teknologjike, shkroi libra dhe krijoi një organizatë arsimore.
Ajo u bë frymëzim për afro-amerikanët, adhuruesit e hapësirës dhe, natyrisht, për gratë.

Këta afro-amerikanë frymëzues kanë dëshmuar se fuqia e vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe inovacionit mund të kapërcejë çdo pengesë. Ata kanë hapur rrugën për brezat pas tyre, duke provuar se stereotipet nuk mund ta përcaktojnë kurrë potencialin e një individi.
Nga politika te sporti, shkenca dhe arti, kontributet e tyre vazhdojnë të jehonojnë në jetën tonë edhe sot.