Nxehtësia globale në rritje po vret një person në minutë në mbarë botën, ka zbuluar një raport i rëndësishëm mbi ndikimin e krizës klimatike në shëndet.
Sipas këtij raporti, varësia e botës ndaj lëndëve djegëse fosile shkakton ndotje të ajrit, zjarre në pyje dhe përhapjen e sëmundjeve të tilla si ethet e dengut, dhe miliona njerëz vdesin çdo vit për shkak të dështimit për të luftuar ngrohjen globale, raportoi të mërkurën “The Guardian”.
Tutje thuhet se djegia e reduktuar e qymyrit ka shpëtuar rreth 400 jetë në ditë në dekadën e fundit, dhe prodhimi i energjisë së rinovueshme po rritet me shpejtësi. Por ekspertët thonë se një e ardhme e shëndetshme është e pamundur nëse lëndët djegëse fosile vazhdojnë të financohen me normat aktuale.
Doktoresha Marina Romanello nga Universiteti i Londrës (UCL), e cila udhëhoqi analizën, ka thënë se ky raport paraqet një pamje të pamohueshme të dëmeve shkatërruese shëndetësore që arrijnë në të gjithë cepat e botës.
“Shkatërrimi i jetëve dhe i mjeteve të jetesës do të vazhdojë të përshkallëzohet derisa t’i japim fund varësisë sonë nga lëndët djegëse fosile. Po shohim miliona vdekje që ndodhin pa nevojë çdo vit për shkak të vonesës sonë në zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe vonesës sonë në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike që nuk mund të shmangen. Po shohim udhëheqës, qeveri dhe korporata kyçe që po tërhiqen nga angazhimet klimatike dhe duke i vënë njerëzit gjithnjë e më shumë në rrezik”, është shprehur ajo.
Djegia e vazhdueshme e lëndëve djegëse fosile jo vetëm që ngroh planetin, por prodhon edhe ndotje të ajrit, duke shkaktuar miliona vdekje në vit. Zjarret në pyje, të nxitura nga kushtet gjithnjë e më të nxehta dhe të thata, po shtojnë vdekjet e shkaktuara nga tymi, me rekord prej 154,000 vdekjesh të regjistruara në vitin 2024, thotë raporti.