Sulmet ndaj objekteve bërthamore në Iran janë kthesë e jashtëzakonshme për Ushtrinë e SHBA-së që ishte supozuar të largohej nga dy dekada luftërash të pafundme në Lindje të Mesme. Këto sulme e kthyen SHBA-në sërish në gatishmëri lufte, shkruan “The New York Times”.
Në të gjithë rajonin, ku mbi 40 mijë trupa amerikane janë në baza dhe luftanije, dhe sulmet sollën një periudhë gatishmërie të lartë ndërsa Pentagoni po përgatitet për një hakmarrje thuajse të sigurt nga Irani.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se tri objektet bërthamore iraniane janë goditur, përfshirë edhe objektin Fordow që gjendet brenda një mali.
Bombat e përdorura në sulme besohet se përfshinë edhe “bunker shkatërruesit”, që janë të ndërtuar për të goditur bunkerët e thellë nëntokësorë apo armët që gjenden në objekte të mbrojtura nëntokësore.
Një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti, tha se disa bomba bunker-shkatërruese u hodhën në Fordow, dhe se sipas vlerësimeve fillestare mendohet se objekti është “hequr nga tavolina”.
Sulmi ishte hera e parë që Ushtria amerikane kishte përdorur armën në luftime.
Sulmet, pavarësisht të sukseshme apo jo, me shumë gjasë të hasin në përgjigje të ashpër. Teherani është zotuar t’i sulmojë bazat amerikane në Lindjen e Mesme dhe agjencitë amerikane të inteligjencës konfirmuan para se të ndodhte sulmi, se Irani do të ndërmerrte hapa për ta zgjeruar luftën dhe për t’i goditur forcat amerikane në rajon.
Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se sulmet kundër tri objekteve bërthamore ishin të kompletuara. Zyrtari tha se nuk pritej të ketë sulme pasuese, megjithëse komandantët ishin gati t’i përgjigjeshin çdo hakmarrjeje iraniane.
Një zyrtar amerikan tha se gjashtë aeroplanë bombardues amerikane B-2 hodhën 12 bomba bunker shkatërruese në Fordow, nëndetëset e Marinës amerikane lëshuan 30 raketa lundrimi në Natanz dhe Isafahan. Një B-2 hodhi dy bomba bunker shkatërruese në Natanz, tha zyrtari. Sulmet janë kulmi i viteve planifikim nga Komanda Qendrore e SHBA-së, që është përgjegjëse për operacionet në rajon. Por, pak pritën se këto plane do të realizoheshin aq papritur. Erdhën mbi një javë pasi Izraeli lansoi sulme në Iran.
Irani reagoi me breshëri raketash, si dhe ofroi të rifillonte negociatat mbi programin e tij të zhvillimit bërthamor.
Irani ndërtoi objektin e centrifugave në Fordow për të parandaluar sulmin ndaj tij. Në vitin 1981, duke përdorur avionë luftarakë F-15 dhe F-16, Izraeli bombardoi një objekt bërthamor në afërsi të Baghdatit si pjesë e tentimit për ta ndalur Irakun që të siguronte armë bërthamore – një sulm që në thelb ndaloi programin e armëve të Irakut. Ai objekt ishte mbi tokë.
Në sulmet e tij ndaj Iranit, Izraeli kishte goditur objektet bërthamore mbi tokë, por jo Fordown. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë GBU-57 Massive Ordnance Penetrator – emri zyrtar për bombën e nevojshme për të shkatërruar bunkerët. Administratat e mëparshme amerikane kanë refuzuar t’ia japin Izraelit një bombë të tillë. Forca Ajrore e Izraelit gjithashtu nuk ka avionë luftarakë të nevojshëm për të dërguar bombën te destinacioni.
Bombat kanë mbështjellës të trashë çeliku dhe përmbajnë sasi më të vogël eksplozivi sesa bombat e madhësisë së njëjtë që përdoren për përdorim të përgjithshëm. Mbështjellësi i rëndë lejon që municioni të mbetet i paprekur ndërsa shpon tokën, shkëmbinjtë dhe betonin para se të shpërthejë.
Irani ka shumë mënyrë për t’u hakmarrë, duke përfshirë asetet detare dhe aftësitë e tjera që do t’i duheshin për ta mbyllur Ngushticën e Hormuzit, një veprim që mund të bllokojë çdo anije të Marinës Amerikane në Gjirin Persik, thonë zyrtarët ushtarakë amerikanë.
Zyrtarët iranianë kanë kërcënuar ta minojnë ngushticën nëse SHBA-ja bashkohet në sulmin e Izraelit ndaj Iranit.
Rruga e ngushtë ujore prej rreth 90 miljesh që lidh Gjirin Person me oqenin e hapur është një rrugë kyçe transporti detar.
Një e katërta e naftës në botë dhe rreth 20 për qind e gazit natyror të lëngshëm në botë kalon nëpërmjet kësaj ngushtice. Bllokimi do të shkaktonte rritje të çmimit të naftës dhe gazit.
Më herët këtë javë, anijet e Marinës amerikane filluan të shpërndaheshin për ta shmangur sulmin.
Në mandatin e tij të parë, Trump autorizoi një sulm me dron që vrau një gjeneral të fuqishëm iranian në Baghdad. Irani u kundërpërgjigj me një breshëri raketash të qëlluara drejt trupave amerikane në Irak, duke lënë rreth 110 trupa me lëndime të rënda në kokë dhe duke goditur aksidentalisht një aeroplan të pasagjerëve të Ukrainës, duke vrarë 176 persona që ishin në të.
Iranit nuk i duhet shumë përgatitje për të goditur bazat ajrore dhe detare të SHBA-së në rajon. Ushtria e Iranit ka baza ushtarake brenda distancës së goditjes së Bahrejnit, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Zyrtarët amerikanë thanë më herët këtë javë se Irani ka përgatitur raketat dhe pajisjet tjera ushtarake për sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.
Duke parashikuar një sulm të tillë, forcat amerikane në ditët e fundit kanë forcuar mbrojtjen ajrore.
Të shtunën zyrtarët amerikanë thanë se avionë luftarakë shtesë F-22, F-16 dhe F-35 të Forcave Ajrore të SHBA-së ishin pozicionuar në Lindjen e Mesme nga bazat në Evropë, dhe pritet të vijnë tjerë.
Po ashtu aeroplanmbajtësja “Carl Vinson”, me 60 avionë në bord, përfshirë avionë luftarakë F-35, aktualisht po lundron në Detin Arabik.
Një aeroplanmbajtëse e dytë, “Nimitz”, anuloi një ndalesë në portin e Vietnamit më herët këtë javë për të nxituar për në rajon dhe pritet të mbërrijë ditët e ardhshme, thanë zyrtarët amerikanë.
