Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kanë njoftuar të martën se Izraeli duhet të lejojë rritjen e qarkullimit të ndihmave mjekësore në mënyrë që të lehtësohet “situata katastrofike shëndetësore” në Rripin e Gazës, para se të procedohet me zgjerimin e ofensivës.
Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se Ushtria “do të marrë kontrollin” e qytetit të Gazës në kuadër të planit të miratuar nga kabineti i sigurisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që nxiti kritika të shumta nga komuniteti ndërkombëtar.
“Ne duam të furnizohemi me rezerva dhe të gjithë dëgjojmë se po lejohen më shumë furnizime humanitare – sidoqoftë kjo s’është duke ndodhur, ose po ndodh në një ritëm shumë të ngadaltë”, ka thënë Rik Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për territoret palestineze.
52 për qind e ilaçeve janë në mungesë, ka thënë Peeperkorn, tek ka folur prej qytetit të Jerusalemit.
Ai ka shtuar se OBSH-ja ka qenë e detyruar të sjellë më pak furnizime se sa që ishte planifikuar në fillim, “për shkak të procedurave të rënda” dhe produkteve të cilave “po iu mohohet hyrja”, ka raportuar The Guardian.
“Ne duam që të furnizojmë plotësisht spitalet”, ka thënë ai. “Aktualisht s’mund ta bëjmë këtë...Duhet që të na lejohet të fusim të gjitha ilaçet esenciale dhe furnizimet e nevojshme mjekësore”.
Sipas tij, vetëm 50 për qind e spitaleve në enklavë dhe 38 për qind e qendrave për shërbime mjekësore janë funksionale, disa vetëm pjesërisht.
“Gjendja e përgjithshme shëndetësore ngelet katastrofike”, ka vazhduar Peeperkorn. “Uria dhe kequshqyerja vazhdojnë të rrënojnë Gazën”.