Botë

OKB-ja paralajmëron pasoja katastrofike nëse Izraeli pushton tërësisht Gazën

Gaza

Foto: Associated Press

Një zyrtar i lartë i OKB-së ka paralajmëruar se do të ketë "pasoja katastrofike" nëse Izraeli zgjeron operacionet e tij ushtarake në Gazë, pas raportimeve se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po synon ripushtim të plotë.

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm, Miroslav Jenča, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se një veprim i tillë do të ishte "thellësisht alarmues" dhe mund të rrezikonte jetën e më shumë palestinezëve, si dhe pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi, raporton BBC.

Mediat izraelite kanë raportuar të martën se Netanyahu planifikon të takohet me kabinetin e tij të sigurisë këtë javë.

"Zari është hedhur. Ne po shkojmë drejt pushtimit të plotë të Rripit të Gazës dhe mposhtjes së Hamasit", u citua të thoshte një zyrtar i lartë izraelit.

Kabineti i sigurisë, i cili do të mblidhet të enjten, do të duhet të miratojë një veprim të tillë.

Mendohet se plani mund të jetë një taktikë negociuese për të ushtruar presion mbi Hamasin pas një ndërprerjeje të fundit të bisedimeve për armëpushim, ose një përpjekje për të siguruar mbështetje nga partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë të Netanyahut.

I pyetur nëse do të mbështeste një plan izraelit për të ripushtuar të gjithë Gazën, presidenti i SHBA-së Donald Trump është përgjigjur: "Kjo do të varet pak a shumë nga Izraeli."

Izraeli është përballur me rritje të presionit ndërkombëtar për shkak të luftës në Gaza, ku ekspertët thonë se po përhapet kriza e urisë.

Mirëpo, në komentet e tij, Jenča ka paralajmëruar kundër çdo zgjerimi të operacioneve ushtarake të Izraelit.

"Kjo do të rrezikonte pasoja katastrofike për miliona palestinezë dhe mund të rrezikojë më tej jetën e pengjeve të mbetura në Gazë", ka thënë ai.

Ai ka shtuar se sipas të drejtës ndërkombëtare, Gaza "është dhe duhet të mbetet një pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez".

Ushtria izraelite ka thënë se tashmë ka kontroll operativ të 75% të Gazës, por plani i ri thuhet se do të parasheh pushtimin e të gjithë rajonit - duke përfshirë zonat ku jetojnë tani më shumë se dy milionë palestinezë.

Propozimet kanë shkaktuar përçarje në Izrael, pasi ka pasur raportime se shefi i ushtrisë dhe udhëheqës të tjerë ushtarakë e kundërshtojnë strategjinë.