Botë

OKB: Një në pesë fëmijë në Gazë janë të kequshqyer

gaza

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka paralajmëruar të shtunën se nivelet e kequshqyerjes në qytetin e Gazës kanë arritur në 21.5 për qind, që nënkupton se rreth një në pesë fëmijë të vegjël janë tani të kequshqyer.

Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare e Kombeve të Bashkuara (OCHA) ka raportuar më herët këtë javë se në korrik të vitit 2025 janë regjistruar afro 13,000 raste të reja të fëmijëve që kërkojnë trajtim mjekësor për kequshqyerje akute në të gjithë Rripin e Gazës.

Ndërkohë, dy persona të tjerë u vranë pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave në Gazë, sipas Al Jazeeras. 

Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kanë njoftuar po ashtu se numri i të vrarëve pranë këtyre qendrave humanitare ka arritur në 1,760 që nga fundi i muajit maj.

Krahas kësaj, ministrat e Jashtëm të 31 vendeve arabe dhe islame, së bashku me sekretarët e përgjithshëm të Ligës Arabe, kanë publikuar një deklaratë të përbashkët që e dënon mbështetjen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për idenë e “Izraelit të Madh”.

I pyetur disa ditë më parë nga transmetuesi “i24News” nëse ai e mbështet vizionin për “Izraelin e Madh”, Netanyahu është përgjigjur me tone pozitive, tek ka thënë se e përkrah “shumë” këtë ide.

Termi “Izraeli i Madh” përdoret shpesh për të përshkruar versionin biblik të Izraelit, që përfshin pjesë të Libanit, Jordanisë, Egjiptit dhe Sirisë.

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre komenteve, shtetet arabe dhe islame kanë deklaruar se ato përbëjnë “mosrespektim të rëndë të së drejtës ndërkombëtare” dhe “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare arabe”.