Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Operacion sekret në territorin e armikut, si SHBA-ja e shpëtoi pilotin nga avioni i rrëzuar në Iran?

US army

Një pilot i një avioni luftarak amerikan F-15, i rrëzuar mbi Iran, u shpëtua dhe hyn tashmë në historinë e gjatë të misioneve amerikane të kërkim-shpëtimit luftarak. Ndërkohë, sipas raportimit të CBS, operacioni i kërkimit vazhdon thellë brenda territorit iranian edhe për anëtarin e dytë që ishte në avion, shkruan BBC.

Misionet e njohura si Kërkim-Shpëtim Luftarak (CSAR) konsiderohen ndër operacionet më të vështira dhe më urgjente që përgatisin ushtritë amerikane dhe aleatët e saj. Këto janë operacione ushtarake që kanë për qëllim gjetjen, ndihmën dhe shpëtimin e personelit ushtarak në rrezik, përfshirë pilotët e rrëzuar ose ushtarët e mbetur pas vijave të armikut. Ndryshe nga operacionet e zakonshme të kërkim-shpëtimit, këto misione zhvillohen në zona armiqësore ose në territore të kontrolluara nga armiku.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Operacionet CSAR zakonisht kryhen me helikopterë ushtarakë, ndërsa avionë të tjerë furnizimi me karburant dhe avionë luftarakë patrullojnë zonën dhe japin mbështetje nga ajri. Sipas një ish-komandanti, një operacion i tillë mund të përfshijë të paktën 24 parashutistë që kërkojnë në zonë me helikopterë Black Hawk. Nëse është e nevojshme, ata hidhen me parashutë, kërkojnë personin e zhdukur, japin ndihmë mjekësore dhe përpiqen të shmangin forcat armike deri në momentin e evakuimit.

Misione të tilla janë shumë urgjente, sepse edhe forcat armike zakonisht kërkojnë pilotin e rrëzuar në të njëjtën kohë. Prioriteti i ekipit të shpëtimit është të gjejë shenja jete dhe të nisë kërkimin nga vendi i fundit ku është parë personi i zhdukur.

Historia e misioneve CSAR

Misionet e shpëtimit të pilotëve gjatë luftës kanë një histori të gjatë që nga Lufta e Parë Botërore. Një nga misionet e para të njohura amerikane ndodhi në vitin 1943, kur dy kirurgë ushtarakë u hodhën me parashutë në atë që sot është Birmania për të ndihmuar ushtarët e plagosur. Një vit më vonë u realizua edhe shpëtimi i parë në botë me helikopter pas vijave të armikut.

Misionet moderne CSAR u zhvilluan sidomos gjatë Luftës së Vietnamit, ku operacionet u bënë shumë më të mëdha dhe më komplekse, duke krijuar bazën e taktikave të shpëtimit që përdoren edhe sot.

Njësitë amerikane të shpëtimit

Në SHBA, përgjegjësinë kryesore për këto misione e ka Forca Ajrore. Ekipet e shpëtimit përbëhen nga parashutistë shumë të trajnuar, të cilët janë njëkohësisht luftëtarë dhe mjekë. Trajnimi i tyre zgjat rreth dy vjet dhe përfshin hedhje me parashutë, zhytje, mbijetesë, rezistencë ndaj kapjes, mjekësi lufte dhe operacione komplekse shpëtimi.

Motoja e njësisë së shpëtimit është: “Ne e bëjmë këtë që të tjerët të jetojnë”, dhe puna e tyre konsiderohet si pjesë e premtimit ndaj ushtarëve amerikanë se ata nuk do të lihen kurrë vetëm.

Misione të njohura shpëtimi

Ekipet e shpëtimit janë përdorur gjerësisht në luftërat në Irak dhe Afganistan. Një nga rastet më të njohura ishte në vitin 1995 në Bosnje, kur piloti amerikan Scott O’Grady u shpëtua pasi kishte qëndruar gjashtë ditë duke iu shmangur kapjes pas rrëzimit të avionit të tij.

Shpëtimi i pilotëve të rrëzuar është i rrallë, por mbetet një nga operacionet më të rrezikshme dhe më të rëndësishme ushtarake. Në raste të tilla, çdo minutë është vendimtar për mbijetesën e pilotit dhe suksesin e misionit.