Papa Leoni të mërkurën i ka quajtur “të papranueshme" kushtet me të cilat përballen palestinezët në Gaza, duke shprehur solidaritet me civilët dhe duke ripëraqritur thirrjen e tij për një armëpushim në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.
"Shpreh afërsinë time të thellë me popullin palestinez në Gaza, i cili vazhdon të jetojë me frikë dhe të mbijetojë në kushte të papranueshme, i detyruar edhe një herë të largohet nga toka e tij", ka thënë Papa në audiencën e tij të përgjithshme javore në Vatikan.
Izraeli nisi një sulm të madh tokësor në Qytetin e Gazës të martën, duke detyruar qindra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Banorët e quajtën ofensivën “bombardimi më i rëndë në dy vjet luftë”.
Papa ka përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim, për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë dhe për një zgjidhje diplomatike të negociuar të konfliktit. Ai i nxiti besimtarët t'i bashkohen në lutje "që së shpejti të lindë një agim paqeje dhe drejtësie".
Leoni, i zgjedhur papa i parë amerikan në maj, ka shtuar thirrjet e tij për ndalimin e luftës në Gazë në javët e fundit.
Këtë muaj, Papa u takua me presidentin izraelit, Isaac Herzog në Vatikan. Në një deklaratë të gjatë më pas, Vatikani ka thënë se Leoni kishte shprehur keqardhje për "situatën tragjike në Gaza" me Herzogun.