Botë

Partia Laburiste fiton zgjedhjet e përgjithshme në Norvegji

Jonas Gahr Store

(AP)  - Partia Laburiste e Norvegjisë e kryeministrit Jonas Gahr Store ka shpallur fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të së hënës, me shumicën e votave të numëruara dhe me një fitore të ngushtë, por të qartë të bllokut të qendrës së majtë mbi partitë e krahut të djathtë.

Brohoritje të zjarrta shpërthyen në Oslo të hënën në mbrëmje, ndërsa mbështetësit e Partisë Laburiste u mblodhën për të festuar fitoren pas një fushate të ashpër, në të cilën e ardhmja e një takse mbi pasurinë që daton që nga fundi i shekullit të 19-të ka qenë një çështje qendrore.

Sipas transmetuesit lokal VG, kryeministri Gahr Store, falënderoi mbështetësit e tij dhe tha se fitorja tregoi se është e mundur që partitë Social Demokrate të fitojnë zgjedhjet edhe me forcat e krahut të djathtë në rritje në Evropë.

Ministri i Financave Jens Stoltenberg i përsëriti këto fjalë, duke thënë "nëse ka ndonjë mësim për t'u nxjerrë për pjesën tjetër të Evropës, është se është e mundur të fitosh në një fushatë ku ke një të djathtë të fortë populiste që po fiton mbështetje në kurriz të partisë tradicionale Konservatore".

Pak më parë, udhëheqësja konservatore Erna Solberg, kërkoi falje për performancën e dobët të partisë së saj, e cila ra në vendin e tretë në parlament pas Partisë së Progresit, parti kjo populiste e krahut të djathtë, e cila shënoi rezultatin e saj më të mirë ndonjëherë në zgjedhje kombëtare.

Duke iu drejtuar mbështetësve, udhëheqësja e Partisë së Progresit, Sylvi Listhaug, ishte e kënaqur me rezultatin e partisë së saj, por u ankua për atë që ajo e quajti "katër vite të vështira përpara për njerëzit dhe bizneset".

Rreth 4.3 milionë njerëz  kishin të drejtë votimi për parlamentin e ri me 169 anëtarë. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, partitë e qendrës së majtë kanë fituar pak më shumë se 85 vendet e nevojshme për të formuar shumicën.