Partia pro-evropiane e presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, është rrugës drejt fitores dhe shumice të re në parlament, në zgjedhjet që konsiderohen vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit.
Sandu paralajmëroi për "ndërhyrje masive ruse" pas votimit, duke thënë se në rrezik është vetë e ardhmja e Moldavisë, e cila kufizohet me Ukrainën dhe Rumaninë.
Partia e saj, Partia e Veprimit dhe Solidaritetit, siguroi 50% të votave, me shumicën e 1.6 milion votave të numëruara, duke lënë shumë prapa Bllokun Elektoral Patriotik pro-rus me më pak se 25%.
Njëri nga liderët kryesorë të opozitës, Igor Dodon, shpalli fitoren përpara se të publikoheshin rezultatet dhe bëri thirrje për protesta para parlamentit të hënën.
Në të kaluarën, zgjedhjet në Moldavi kanë qenë shumë më të ngushta, por këtë herë u bë e qartë se partia e Sandus ishte drejt një shumice tjetër në parlamentin me 101 vende.
Katër vjet më parë, kjo parti fitoi 52.8% të votave. Sipas rezultateve të fundit, ajo pritet të sigurojë rreth 55 mandate — mjaftueshëm për të qeverisur pa nevojën për koalicione.
Klima tensioni dhe frikë nga destabilizimi
Zgjedhjet u shoqëruan me tensione të larta, përfshirë alarmet për bomba në qendra votimi në Itali, Rumani, Spanjë dhe SHBA. Alarme të ngjashme pati edhe në Moldavi, ku tre persona u arrestuan nën dyshimin se po planifikonin trazira pas zgjedhjeve.
Kreu i PAS-it, Igor Grosu, akuzoi grupe kriminale të mbështetura nga Moska për incidentet e së dielës dhe u bëri thirrje qytetarëve për “durim dhe qetësi”, që procesi zgjedhor të vazhdojë normalisht.
Moldavia përballet gjithashtu me sfidën e rajonit separatist pro-rus të Transnistrisë, përgjatë kufirit me Ukrainën, ku ndodhen trupa ruse. Banorët e këtij rajoni kanë pasaporta moldave dhe shumë prej tyre mbështesin haptazi Moskën.
Lideri socialist Igor Dodon akuzoi autoritetet për pengesa ndaj votuesve të Transnistrisë.
Rreziku nga dezinformimi dhe përfshirja ruse
Zgjedhjet u zhvilluan në sfondin e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe pasigurisë ekonomike në Moldavi, me çmime të larta dhe korrupsion të përhapur.
Presidentja Sandu, 53 vjeç, e rizgjedhur në nëntor, paralajmëroi qytetarët se e ardhmja e demokracisë është në duart e tyre.
“Mos luani me votën tuaj, përndryshe do të humbni gjithçka”, ka thënë ajo.
Policia moldave njoftoi për përpjekje të vazhdueshme nga Rusia për të shpërndarë dezinformim dhe për të blerë vota. Dhjetëra burra u arrestuan, të akuzuar se kishin shkuar në Serbi për trajnim me armë dhe planifikim trazirash. Një hetim i BBC-së zbuloi një rrjet që u premtonte pagesa njerëzve që shpërndanin propagandë pro-ruse dhe lajme të rreme.