Përfaqësuesi i përhershëm amerikan në NATO, Matthew Whittaker, ka deklaruar të martën se është koha e duhur që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, porse ka theksuar se “SHBA-ja nuk do të shkojë asgjëkundi”.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të shkojnë askund. Ne presim që aleatët tanë evropianë të marrin më shumë përgjegjësi dhe të jenë partnerë të barabartë me ne në aleancë, dhe sërish, ajo forcë – me të gjithë ne, të 32 aleatët – është ajo që do ta sjellë paqen. Por, Shtetet e Bashkuara janë këtu për të qëndruar”, ka theksuar Whittaker.
“E kam thënë shumë herë më përpara, dhe e di se më keni dëgjuar duke e thënë, Shtetet e Bashkuara do të jenë një aleat i besueshëm, dhe siç e keni parë në ditët e fundit, Amerika zotëron kapacitete të caktuara që i nevojiten aleancës”, ka shtuar ai.
Ai ka deklaruar se samiti i NATO-s që do të mbahet më datat 24-25 qershor në Hagë të Holandës, përfaqëson “njërin nga momentet më të rëndësishme në historinë e aleancës”, ka raportuar The Guardian.
Whittaker ka thënë se pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë samit “kanë qenë shumë të qarta” që nga fillimi, teksa fokusi ngelet te shpenzimi i 5-përqindëshit të Bruto Produktit të Brendshëm në fushën e mbrojtjes.
Në këtë samit marrin pjesë rreth 6.000 delegatë dhe liderët kryesorë të vendeve anëtare, përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
