Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, ka njoftuar se është larguar nga vendi sepse, siç ka theksuar, ka frikë për jetën e tij, pas një rebelimi nga ushtria.
Megjithatë, ai nuk dha dorëheqjen gjatë një fjalimi të transmetuar në rrjetet sociale të hënën mbrëma nga një vend i panjohur.
Rajoelina është përballur me javë të tëra, me protesta kundër qeverisë, të udhëhequra nga të rinjtë e Gjeneratës Z. Situata u përshkallëzua të shtunën, kur një njësi elitare e ushtrisë iu bashkua protestave dhe kërkoi që presidenti dhe disa ministra të japin dorëheqje, raporton AP.
Pas kësaj, Rajoelina deklaroi se po bëhej një përpjekje e paligjshme për të marrë pushtetin në ishullin në Oqeanin Indian, dhe vendosi të largohet nga vendi.
Në fjalimin e vonshëm, i cili u transmetua edhe në televizionin shtetëror, Rajoelina ka theksuar se u detyrua të largohej për ta mbrojtur jetën.
E sipas zyrës së presidentit, fjalimi në televizionin shtetëror hasi në shumë pengesa sepse ushtarët tentuan të marrin nën kontroll edhe ndërtesën e televizionit.