Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se Izraeli u përpoq ta vriste atë duke bombarduar një zonë ku ai po mbante një takim.
"Ata u përpoqën, po. Ata vepruan në përputhje me rrethanat, por dështuan", i ka thënë Pezeshkian komentatorit amerikan, Tucker Carlson në përgjigje të një pyetjeje nëse ai besonte se Izraeli ishte përpjekur ta vriste atë.
Intervista e Carlson, e kryer nëpërmjet një përkthyesi dhe e publikuar të hënën, është një nga intervistat e para që presidenti iranian ka dhënë me mediat perëndimore që nga lufta 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit muajin e kaluar.
"Nuk ishin Shtetet e Bashkuara që qëndronin pas atentatit ndaj jetës sime. Ishte Izraeli. Isha në një takim... ata u përpoqën të bombardonin zonën ku po mbanim atë takim", ka thënë ai, sipas një përkthimi të komenteve të tij nga persishtja, pa specifikuar nëse atentati i supozuar ishte gjatë luftës së fundit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar se ka ndaluar izraelitët nga përpjekja për të vrarë udhëheqësin suprem 86-vjeçar, Ayatollah Ali Khamenei, i cili qëndroi i fshehur për gati tre javë. Ai mori pjesë në një ceremoni fetare në Teheran gjatë fundjavës, e cila u prit me entuziazëm dhe lehtësim nga besnikët e qeverisë. Më parë ai kishte bërë tre videoparaqitje ku dukej i zbehtë, ndonëse sfidues.
Izraeli pretendon se ka vrarë më shumë se 30 zyrtarë të lartë të sigurisë dhe 11 shkencëtarë të lartë bërthamorë për t'i dhënë një goditje të madhe ambicieve bërthamore të Iranit gjatë luftës 12-ditore.
Sipas Izraelit, së bashku me SHBA-në, kanë shkatërruar tri centralet kryesore bërthamore të Iranit.