Botë

Prokuroria e Berlinit akuzon deputetin e AfD-së për përshëndetje hitleriane

Matthias Moosdorf

Prokurorët në Berlin kanë ngritur aktakuzë ndaj Matthias Moosdorf, deputet i Bundestagut nga partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), nën dyshimin për përdorim të simboleve të organizatave antikushtetuese.

Akuzat lidhen me pretendimet se ai ka përplasur thembrat dhe ka bërë të ashtuquajturin përshëndetje hitleriane, e cila ndalohet rreptësishtë me ligj në Gjermani, ndaj një anëtari tjetër të partisë, në garderobën e Bundestagut, në qershor të vitit 2023, në prani të personave të tjerë.

Moosdorf, 60 vjeç, nga landi lindor i Saksonisë, i ka mohuar akuzat, duke i quajtur ato “të çuditshme” dhe “absurde”, shkruan Deutsche Welle.

Bundestagu ia ka hequr imunitetin parlamentar Moosdorfit lidhur me këtë çështje në tetor.

Ai i është bashkuar AfD-së në vitin 2016 dhe deri së fundmi ka shërbyer si zëdhënës i partisë për politikë të jashtme, si dhe ka udhëhequr grupin e saj të punës për politikë të jashtme, i cili njihet për qëndrimet e tij hapur pro-ruse.

Në tetor të vitit 2024 u bë e ditur se Moosdorf, me profesion violonçelist, ishte nderuar me një titull profesor nderi në Moskë.

Në shtator, partia e kishte gjobitur atë me 2.000 euro për udhëtime të paautorizuara në Rusi.