Botë

Propozimi për ndalimin e mediave sociale në Spanjë - Musk e quan Sanchezin “tiran”

Elon Musk dhe Pedro Sanchez

Spanja ka njoftuar se së shpejti do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nga adoleshentët, dhe kjo ka bërë që pronari i X-it, Elon Musk të shpërthejë me fyerje ndaj kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez. 

Qeveria po përgatit një sërë masash, përfshirë ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç, ka thënë Sanchez të martën, duke premtuar se do t’i mbrojë fëmijët nga “perëndimi i egër digjital” dhe do t’i mbajë kompanitë e teknologjisë përgjegjëse për përmbajtje të urrejtjes.

Sanchez gjithashtu ka kritikuar Muskun për përdorimin e platformës X për të “përforcuar dezinformimin” lidhur me vendimin e administratës së tij javën e kaluar për të legalizuar 500 mijë punëtorë pa dokumente dhe azilkërkues, duke theksuar se vetë Musku është migrant.

E në përgjigje të kësaj deklarate, Musku ka shkruar në X se Sanchez është një tiran dhe një tradhtar. 

“Sanchez i pistë është një tiran dhe një tradhtar i popullit të Spanjës”, ka shkruar Musk.

Greqia gjithashtu është pranë shpalljes së një ndalimi të ngjashëm për fëmijët nën 15 vjeç, sipas një burimi të lartë qeveritar.

Spanja dhe Greqia pritet t’u bashkohen vendeve si Britania dhe Franca në shqyrtimin e qëndrimeve më të ashpra ndaj rrjeteve sociale, pasi Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi qasjen në këto platforma për fëmijët nën 16 vjeç.

Qeveritë dhe rregullatorët në mbarë botën po shqyrtojnë ndikimin e kohës që fëmijët kalojnë para ekraneve në zhvillimin dhe mirëqenien e tyre mendore.

“Fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire që nuk ishte menduar kurrë të përballohej vetëm…

Ne nuk do ta pranojmë më këtë”, ka thënë Sanchez në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai. 

“Ne do t’i mbrojmë ata nga perëndimi i egër digjital”, ka shtuar ai.