Botë

Protestat propalestineze në Itali, përleshje mes protestuesve dhe policisë

Protesta - Itali

Foto: Associated Press

Qindra mijëra persona marshuan në qendër të Romës të shtunën në ditën e katërt rresht të protestave në Itali, që kur Izraeli ndaloi flotën ndërkombëtare që po përpiqej të dërgonte ndihma në Gazë dhe arrestoi aktivistë, raporton agjencia “Reuters”. 

Njerëz me pankarta dhe flamuj, duke brohoritur “Palestina e Lirë” dhe slogane tjera, kaluan pranë Koloseumit, duke marrë pjesë në një marsh që organizatorët thanë se mblodhi mbi 1 milion persona, ndërsa policia e vlerësoi se ishin afro 250 mijë. 

Protesta ishte kryesisht paqësore, me studentë, fëmijë dhe të moshuar që morën pjesë. Ndërsa marshimi po mbaronte, rreth 200 persona u shkëputën dhe u përleshën me zyrtarë policorë pranë bazilikës së Shën Marisë së Madhe. Oficerët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe topa uji. 

Protestuesit hodhën kokteje molotovi dhe i vunë flakën një makine të policisë, sipas agjencisë së lajmeve “AGI”. Raportohet për disa të arrestuar. 

Që kur Izraeli filloi ta ndalonte flotën të mërkurën, protesta shpërthyen në gjithë Evropën dhe nëpër botë. Por, në Itali ka pasur çdo ditë protesta. 

Të premten, sindikatat thirrën një grevë të përgjithshme, ndërsa afro 2 milionë persona morën pjesë në demonstrata në të gjithë vendin, sipas organizatorëve. Ministria e Brendshme e Italisë kishte vlerësuar se pjesëmarrja ishte rreth 400 mijë. 

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, të shtunën fajësoi protestuesit për grafite fyese që u shfaqën në një statujë të Papës së ndjerë Gjon Pali II, që gjendet jashtë stacionit kryesor hekurudhor në Romë. 

“Ata thonë se po dalin në rrugë për paqe, por më pas fyejnë kujtimin e një njeriu që ishte një mbrojtës dhe ndërtues i vërtetë i paqe”, tha Meloni.