Refuzimi i Egjiptit dhe Jordanisë është i rrënjosur në frikën se Izraeli dëshiron të detyrojë një dëbim të përhershëm të palestinezëve në këto dy vende dhe të çojë në harresë kërkesën e palestinezëve për shtet të tyre. Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi, ka njoftuar gjithashtu se një eksod masiv do të rrezikonte depërtimin e militantëve në Gadishullin Sinai të Egjiptit, nga ku ata mund të nisnin sulme ndaj Izraelit, duke rrezikuar traktatin e paqes 40-vjeçare mes dy vendeve
Teksa palestinezët e dëshpëruar në Gazën e rrethuar përpiqen të gjejnë strehim nga bombardimet e pamëshirshme të Izraelit në hakmarrje për sulmin brutal të Hamasit më 7 tetor, disa pyesin pse Egjipti dhe Jordania fqinje nuk i pranojnë ata.
Të dyja vendet, të cilat e rrethojnë Izraelin në anët e kundërta dhe ndajnë kufijtë me Gazën dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, janë përgjigjur me një refuzim të vendosur. Jordania tashmë ka një popullsi të madhe palestineze.
Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi, bëri komentet e tij më të ashpra të mërkurën, duke thënë se lufta aktuale nuk ka për qëllim vetëm të luftojë Hamasin, i cili sundon Rripin e Gazës, “por gjithashtu është një përpjekje për të shtyrë banorët që të migrojnë në Egjipt”. Ai paralajmëroi se kjo mund ta prishë paqen në rajon.
Mbreti Abdullah II i Jordanisë dha një mesazh të ngjashëm një ditë më parë, duke thënë: “Nuk ka refugjatë në Jordani dhe as në Egjipt”.
Refuzimi i Egjiptit dhe Jordanisë është i rrënjosur në frikën se Izraeli dëshiron të detyrojë një dëbim të përhershëm të palestinezëve në këto dy vende dhe të çojë në harresë kërkesën e palestinezëve për shtet të tyre. El-Sissi ka njoftuar gjithashtu se një eksod masiv do të rrezikonte depërtimin e militantëve në Gadishullin Sinai të Egjiptit, nga ku ata mund të nisnin sulme ndaj Izraelit, duke rrezikuar traktatin e paqes 40-vjeçare mes dy vendeve.
Një histori e zhvendosjes
Zhvendosja ka qenë një temë kryesore e historisë palestineze. Në luftën e vitit 1948 pas krijimit të Izraelit, rreth 700 mijë palestinezë u dëbuan ose u larguan nga ajo që tani është Izrael. Palestinezët i referohen ngjarjes si Nakba, arabisht “katastrofë”.
Në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, 300 mijë palestinezë të tjerë u larguan, kryesisht në Jordani.
Refugjatët dhe pasardhësit e tyre tani numërojnë afro 6 milionë, shumica jetojnë në kampe dhe komunitete në Bregun Perëndimor, Gaza, Liban, Siri dhe Jordani. Diaspora është përhapur më tej, me shumë refugjatë që ndërtojnë jetë në vendet arabe të Gjirit apo në Perëndim.
Pas ndalimit të luftimeve në luftën e vitit 1948, Izraeli refuzoi të lejonte refugjatët të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Që atëherë, Izraeli ka refuzuar kërkesat palestineze për kthimin e refugjatëve si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, duke argumentuar se kjo do të kërcënonte shumicën hebraike të vendit.
Egjipti ka frikë se historia do të përsëritet dhe një popullsi e madhe refugjatësh palestinezë nga Gaza do të përfundojë duke qëndruar përgjithmonë.
S’ka garanci për rikthim
Kjo pjesërisht për shkak se nuk ka skenar të qartë se si do të përfundojë kjo luftë.
Izraeli thotë se synon ta shkatërrojë Hamasin për tërbimin e tij të përgjakshëm në qytetet e tij jugore. Por nuk ka dhënë asnjë tregues se çfarë mund të ndodhë më pas dhe kush do të qeverisë Gazën. Kjo ka ngritur shqetësimin se do ta ripushtojë territorin për një periudhë, duke nxitur konflikte të mëtejshme.
Ushtria izraelite ka njoftuar se palestinezët që ndoqën urdhrin e saj për të ikur nga Gaza veriore në gjysmën jugore të Rripit do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës.
Egjipti nuk po bindet për këtë.
El-Sissi ka theksuar se luftimet mund të zgjasin me vite nëse Izraeli argumenton se nuk i ka shtypur mjaftueshëm militantët. Ai propozoi që Izraeli t’i strehojë palestinezët në shkretëtirën e tij Negev, që është territor fqinj me Rripin e Gazës, derisa të përfundojë operacionet e tij ushtarake.
“Mungesa e qartësisë së Izraelit në lidhje me synimet e tij në Gaza dhe evakuimin e popullsisë është në vetvete problematike”, ka thënë Riccardo Fabiani, drejtor i Projektit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Afrikën e Veriut. “Ky konfuzion nxit frikën te fqinjët”.
Egjipti ka kërkuar që Izraeli ta lejojë ndihmën humanitare në Gaza dhe Izraeli ka njoftuar se do ta lejojë, megjithëse nuk tha se kur. Sipas Kombeve të Bashkuara, Egjipti, i cili po përballet me një krizë ekonomike spirale, tashmë strehon rreth 9 milionë refugjatë dhe emigrantë, duke përfshirë rreth 300 mijë sudanezë që shkuan në këtë vend këtë vit pasi u larguan nga lufta civile në vendin e tyre.
Por vendet arabe dhe shumë palestinezë gjithashtu dyshojnë se Izraeli mund ta përdorë këtë mundësi për të detyruar ndryshime të përhershme demografike për të shkatërruar kërkesat palestineze për shtet në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor, i cili gjithashtu u pushtua nga Izraeli në vitin 1967.
El-Sissi përsëriti paralajmërimet të mërkurën se një eksod nga Gaza ka për qëllim “eliminimin e kauzës palestineze ... kauzën më të rëndësishme të rajonit”. Ai argumentoi se nëse një shtet palestinez i çmilitarizuar do të ishte krijuar shumë kohë më parë në negociata, tani nuk do të kishte luftë.
Frika e vendeve arabe është nxitur nga rritja e partive të djathta nën udhëheqjen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që flasin në terma pozitivë për largimin e palestinezëve. Që nga sulmi i Hamasit, retorika është bërë më pak e përmbajtur, me disa politikanë të krahut të djathtë dhe komentues të mediave që bëjnë thirrje që ushtria të shkatërrojë Gazan dhe të dëbojë banorët e saj. Një ligjvënës tha se Izraeli duhet të kryejë një “Nakba të re” në Gaza.
Shqetësimet për Hamasin
Në të njëjtën kohë, Egjipti thotë se një eksod masiv nga Gaza do të sillte Hamasin ose militantë të tjerë palestinezë në tokën e tij. Kjo mund të jetë destabilizuese në Sinai, ku ushtria egjiptiane luftoi për vite me radhë kundër militantëve islamikë dhe në një moment e akuzoi Hamasin se i mbështet ata.
Egjipti e ka mbështetur rrethimin e Gazas nga Izraeli qëkur Hamasi mori kontrollin e territorit në vitin 2007, duke kontrolluar fort hyrjen e materialeve dhe kalimin e civilëve. Ai shkatërroi gjithashtu rrjetin e tuneleve në kufi që Hamasi dhe palestinezë të tjerë e përdorën për të kontrabanduar mallra në Gaza.
El-Sissi paralajmëroi për një skenar edhe më destabilizues: shkatërrimin e marrëveshjes së paqes të Egjiptit dhe Izraelit të vitit 1979. Ai ka theksuar se me praninë e militantëve palestinezë, Sinai “do të bëhej bazë për sulmet ndaj Izraelit. Izraeli do të kishte të drejtë të mbrohej… dhe do ta godiste territorin egjiptian”.
“Paqja që kemi arritur do të zhdukej nga duart tona”, është shprehur ai. “Krejt për hir të idesë së eliminimit të kauzës palestineze”.
Përktheu: Blerta Haxhiu