Pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, është rishfaqur frika se Teherani mund të hakmerrej duke bllokuar një nga rrugët më jetike të naftës në botë – ngushticën e Hormuzit.
Kjo ngushticë, që ka gjerësi nga 55 deri në 95 kilometra, lidh Gjirin Persik me Detin Arabik. Çdo ditë kalojnë përmes saj rreth 20 milionë fuçi naftë dhe derivate, që përbëjnë gati një të pestën e furnizimit global me naftë. Çdo përpjekje për ta bllokuar këtë rrugë do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale, shkruan CNBC.
Megjithatë, analistët besojnë se një veprim i tillë është i pamundur dhe i paarsyeshëm për Iranin. Sipas Ellen Wald, presidente e kompanisë “Transversal Consulting”, një bllokadë nuk do t’i sillte Iranit përfitime reale, veçanërisht sepse infrastruktura iraniane e naftës nuk është shënjestruar nga sulmet izraelite. Përkundrazi, një bllokadë e tillë do të nxiste sulme të reja ndaj Iranit.
Ajo thekson gjithashtu se një veprim i tillë do të zemëronte Kinën – blerësin më të madh të naftës iraniane.
“Kina nuk dëshiron që shpërndarja e naftës nga Gjiri Persik të ndërpritet dhe nuk dëshiron që çmimi i naftës të rritet. Prandaj, do të përdorë gjithë fuqinë e saj ekonomike ndaj Iranit”, thotë Wald.
Vlerësohet se çereku i importeve të naftës së Kinës vjen nga Irani, ndërsa Kina është partnerja më e madhe tregtare e këtij vendi. Prandaj, një bllokadë do të dëmtonte më shumë aleatët e Iranit sesa armiqtë e tij, thotë Anas Alhajji nga “Energy Outlook Advisors”.
Sipas tij, vetë Irani do të pësonte më shumë, pasi pjesa më e madhe e eksporteve të tij kalon përmes ngushticës së Hormuzit.
Bllokadë e pamundur?
Në fakt, shumë analistë thonë se bllokimi fizik i ngushticës është praktikisht i pamundur.
“Të jemi realistë. Pjesa më e madhe e kësaj ngushtice është në ujërat territoriale të Omanit, jo Iranit. Dhe është mjaftueshëm e gjerë që Irani të mos mund ta mbyllë”, thekson Alhajj.
Ellen Wald shton se anijet mund të devijojnë përmes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit nëse ndodh një përpjekje për bllokadë.
Sipas Vivek Dhar nga “Commonwealth Bank of Australia”, çdo bllokadë do të ishte masa e fundit, që Irani do ta ndërmerrte vetëm nëse do të përfshihej në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me Shtetet e Bashkuara.
Helima Croft nga “RBC Capital Markets” thotë se mund të ketë ndërprerje të përkohshme në qarkullimin detar, por një bllokadë e plotë është shumë e vështirë për t’u realizuar për shkak të pranisë së flotës amerikane në Bahrejn.
“Irani mund të sulmojë cisternat ose të vendosë mina në ngushticë për të penguar trafikun detar”, thotë Croft, por kjo sërish do të ishte lëvizje me pasoja të rënda.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake nëse dështojnë negociatat për programin bërthamor të Iranit. Megjithatë, Dhar vlerëson se këto kërcënime janë më shumë presion diplomatik sesa qëllim real për luftë.
