Botë

Publikimi i dosjeve të Epsteinit vë në qendër Bill Clintonin, me pak referenca për Trumpin

ep

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka publikuar të premten mijëra dokumente të redaktuara gjerësisht që lidhen me financierin e ndjerë dhe të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Dokumentet përmbajnë shumë pak ose aspak referenca për presidentin Donald Trump, por përmendin gjerësisht ish-presidentin demokrat, Bill Clinton, raporton Reuters. 

Mungesa e referencave për Trumpin u vu re, pasi prej vitesh kanë dalë në dritë fotografi dhe dokumente të tjera që e lidhin atë me Epsteinin. Emri i Trumpit, për shembull, ishte shfaqur në listat e pasagjerëve të avionit privat të Epsteinit, të publikuara në një dosje  dokumentesh të parë nga Departamenti i Drejtësisë në muajin shkurt.

Publikimi i pjesshëm i dokumenteve u bë për ta respektuar një ligj të miratuar me shumicë dërrmuese nga Kongresi në nëntor, i cili kërkonte publikimin e të gjitha dosjeve të Epsteinit, pavarësisht përpjekjeve disa mujore të presidentit republikan për t’i mbajtur ato të mbyllura. Skandali Epstein është kthyer në një problem politik për Trump, i cili prej vitesh kishte nxitur teori konspirative për Epsteinin tek mbështetësit e tij.

Nuk është ende e qartë sa përmbajtje të re kanë këto dokumente, pasi shumë materiale të lidhura me Epsteinin janë bërë publike që pas vdekjes së tij në burg në vitin 2019, e cila u shpall zyrtarisht vetëvrasje.

Shumë nga dokumentet e publikuara janë fort të censuruara; disa dosje me mbi 100 faqe janë tërësisht të nxira. Departamenti i Drejtësisë pranoi se ende po shqyrton qindra mijëra faqe të tjera për publikim të mundshëm.

Materialet e publikuara përfshijnë prova nga disa hetime mbi Epstein, si edhe fotografi të Bill Clintonit, i cili prej kohësh është kritikuar nga republikanët. Megjithatë, dokumentet duket se përmbajnë pak ose aspak fotografi apo përmendje të Trumpit, pavarësisht miqësisë së njohur publike mes të dyve në vitet 1990 dhe fillimin e viteve 2000, përpara se marrëdhënia e tyre të prishej para dënimit të parë të Epsteinit në vitin 2008.

Donald Trump nuk është akuzuar për ndonjë shkelje ligjore dhe ka mohuar se ka pasur dijeni për krimet e Epsteinit.