Më shumë se 300 punëtorë nga Koreja e Jugut, që u ndaluan javën e kaluar gjatë një aksioni kundër emigracionit në Shtetet e Bashkuara, u kthyen në atdhe me një avion dhe u ribashkuan me familjet e tyre të premten.
Ata ishin pjesë e 475 personave që u ndaluan më 4 shtator gjatë një kontrolli në një fabrikë baterish që është në ndërtim e sipër, në kampusin e një fabrike të madhe të Hyundait në perëndim të qytetit Savannah, në shtetin e Georgia, raporton Associated Press.
Pamjet e publikuara nga autoritetet amerikane, ku disa punëtorë koreano-jugorë shihen të lidhur me zinxhirë në duar, këmbë dhe bel, shkaktuan zemërim dhe ndjenjë tradhtie në Kore të Jugut, aleat i rëndësishëm i SHBA-së.
Pasi avioni i tyre - një Boeing 747-8i i Korean Air, aterroi në Aeroportin Ndërkombëtar të Incheonit, pranë Seulit, punëtorët u pritën në sallën e mbërritjeve nga zyrtarë të lartë, përfshirë shefin e kabinetit të presidentit, Kang Hoon-sik, i cili duartrokiti në shenjë mirëseardhjeje.
“Na vjen keq që nuk arritëm t’i kthenim më herët, por bëmë më të mirën që mundëm”, tha Kang.
Qindra gazetarë ishin mbledhur në aeroport për të raportuar mbi kthimin e tyre, ndërsa qytetarë të zakonshëm brohorisnin “Mirë se u kthyet!”
Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut kërkoi nga mediat që të mos tregonin fytyrat e punëtorëve në foto dhe video, pasi vetë punëtorët kishin kërkuar privatësi.
Avioni transportonte 330 persona që ishin ndaluar në aksionin në Georgia - 316 prej tyre janë shtetas të Koresë së Jugut, përfshirë një grua shtatzënë, ndërsa të tjerët janë punëtorë nga Kina, Japonia dhe Indonezia. Ata ishin mbajtur në një qendër ndalimi për emigrantët në Folkston, rreth 460 kilometra në juglindje të Atlantës.
Gjatë fluturimit për në shtëpi, Kang tha se punëtorët duartrokisnin dhe brohorisnin nga gëzimi.