Presidenti kinez, Xi Jinping, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë nisur bisedimet dypalëshe në Pekin, në prag të paradës ushtarake që do të mbahet në kryeqytetin kinez.
Putini vlerësoi marrëdhëniet midis vendeve, duke thënë se ato ishin në një “nivel të paparë”.
Putini do të marrë pjesë në paradën ushtarake të mërkurën në Pekin, e cila shënon 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka raportuar AP.
Në paradë do të jenë të pranishëm udhëheqës të huaj nga vende të ndryshme, të cilët kërkojnë të përmirësojnë ose të ruajnë marrëdhëniet me qeverinë në Pekin.
Në maj presidenti kinez vizitoi Moskën për festimet e Rusisë për të shënuar disfatën e nazistëve.
Takimet e kësaj jave vijnë në një kohë kur Xi kërkon të projektojë fuqinë e Pekinit në skenën ndërkombëtare - jo vetëm si ekonomia e dytë më e madhe në botë, por edhe si një peshë e rëndë diplomatike.