Botë

Putini nënshkruan dekretin që do të kërkojë kompensim për asetet ruse të sekuestruara

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Rusia do të identifikojë pronat e SHBA-së, përfshirë letrat me vlerë, që mund të përdoren si kompensim për humbjet e pësuara si rezultat i çdo sekuestrimi të aseteve të ngrira ruse në Shtetet e Bashkuara, sipas një dekreti të nënshkruar nga presidenti, Vladimir Putin të enjten.

Negociatorët e G7-s kanë diskutuar për javë të tëra se si të shfrytëzojnë më së miri asetet financiare ruse me vlerë rreth 300 miliardë dollarë, të tilla si monedhat kryesore dhe obligacionet qeveritare, të cilat u ngrinë menjëherë pasi Moska nisi luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, raporton Reuters.

Dekreti i së enjtes thotë se një ent rus mund t'i kërkojë një gjykate ruse të përcaktojë nëse prona e tij është sekuestruar në mënyrë të pajustifikueshme dhe të kërkojë kompensim.

Gjykata më pas do të urdhërojë që kompensimi të transferohet në formën e aseteve ose pronës së SHBA-së në Rusi, nga një listë që do të hartohej nga komisioni qeveritar i Rusisë për shitjet e aseteve të huaja.

Dekreti liston letrat me vlerë, aksionet në kompanitë ruse, pronat e luajtshme dhe të drejtat pronësore në mesin e aseteve në pronësi të SHBA-së.

Asetet e shumë investitorëve të huaj, duke përfshirë individët dhe fondet e mëdha të investimeve të SHBA-së, mbahen në llogari të veçanta të tipit C që Rusia prezantoi menjëherë pasi dërgoi ushtrinë e saj në Ukrainë, dhe pasi u godit nga një numër sanksionesh perëndimore në shkurt të vitit 2022.

Paratë në këto llogari nuk mund të transferohen jashtë Rusisë pa lejen e autoriteteve ruse.

Washingtoni ka miratuar legjislacionin që lejon administratën e presidentit, Joe Biden të konfiskojë asetet ruse të mbajtura në bankat amerikane dhe t'i transferojë ato në Ukrainë, diçka që Rusia e ka quajtur vazhdimisht të paligjshme.