Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpërndarë një video raciste në rrjetin e tij social të enjten në mbrëmje, duke e paraqitur ish-presidentin Barack Obama dhe bashkëshorten e tij Michelle Obama në trupa të majmunëve në një xhungël. Orë më vonë ,Trumpi e ka fshirë videon.
Çifti Obama shfaqet papritmas në fund të videos së shkurtër, që pretendon rrejshëm se ka pasur vjedhje të zgjedhjeve të 2020-s. Fytyrat e tyre shfaqen në trupa të majmunëve. Sapo shfaqen, nis edhe kënga “The Lion Sleeps Tonight”.
Publikimi menjëherë ka nxitur reagime të ashpra në SHBA.
Senatori Tim Scott – i vetmi republikan me ngjyrë në Senat – e ka quajtur përmbajtjen raciste dhe ka bërë thirrje që ajo të fshihet. “Po lutem që të jetë e rreme sepse është gjëja më raciste që kam parë nga kjo Shtëpi e Bardhë. Presidenti duhet ta heqë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, në një deklaratë për CNN-in, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se reagimi nuk ka qenë i drejtë.
“Kjo është një meme nga interneti që e shfaq presidentin Trump si mbret të xhunglës dhe demokratët si karaktere nga ‘Lion King’. Ju lutem ndaleni këtë reagim të rremë dhe raportoni në diçka që me të vërtetë vlen për publikin amerikan”, ka thënë ajo.
Ben Rohdes, që ka shërbyer në kabinetin e sigurisë kombëtare të Obamas, e ka quajtur veprën e Trumpit si “njollë në histori”.
“Sjellje e neveritshme nga presidenti. Çdo republikan duhet ta dënojë këtë. Tani”, ka shkruar Zyra e Guvernatorit të Kalifornisë Gavin Newsom në “X”.
Nuk është hera e parë që Trumpi ka nxitur reagime me shpërndarje të përmbajtjeve raciste. Vitin e shkuar ai publikoi një video që shfaqte rrejshëm Barack Obaman e arrestuar në Zyrën Ovale. Vitin e shkuar, Trumpi dhe anëtarë të administratës së tij po ashtu shfaqën pamje të montuara të pjesëtarëve të minoriteteve në Senat, duke u vendosur mustaqe të rreme.