I dërguari i Posaçëm i SHBA-së, Keith Kellog, ka deklaruar së fundmi se presidenti rus, Vladimir Putin, “thellë thellë e kupton se nuk mund ta fitojë" luftën e Ukrainës, të cilën e ka nisur më 24 shkurt 2022.
Duke folur të martën në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Varshavë, Kellog është shprehur se lufta e Ukrainës është e pamundur të fitohet nga ai në plan afatgjatë.
"Mendoj se ndoshta thellë thellë, ai e kupton se nuk mund ta fitojë këtë. Kjo është një luftë e pafitueshme për të, në plan afatgjatë. Nuk do të ndodhë”, ka deklaruar Kellog.
I pyetur për incidentet e fundit që përfshijnë Rusinë në Evropë, ai duket sikur sinjalizoi mbështetjen e tij për idenë e goditjes së dronëve ose avionëve rusë që kalojnë në hapësirën ajrore të NATO-s.
“Mënyra se si i përgjigjeni diçkaje të tillë, nga një sfond ushtarak, do të thoja se ndonjëherë ju ngritni çështjen e asaj që quhet nivel rreziku për ta bërë këtë. Do t'ju jap një shembull të mirë. ... Disa vite më parë, në vitin 2015, rusët kishin pushtuar hapësirën ajrore turke me një avion luftarak. Çfarë bënë turqit? Ata e rrëzuan. Në rregull, kjo do t'ju tërheqë vëmendjen shumë shpejt, apo jo?”, ka thënë Kellog.