Shitjet e automjeteve elektrike të Teslas të prodhuara në Kinë kanë shënuar rritje për muajin e tretë radhazi në janar, edhe pse i gjithë sektori i automjeteve elektrike në vend po përballet me ngadalësim për shkak të kërkesës së dobët të brendshme, raportoi të mërkurën Reuters.
Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Shoqata Kineze e Makinave të Pasagjerëve (CPCA), dërgesat e modeleve Model 3 dhe Model Y të prodhuara në fabrikën e Shangait – përfshirë eksportet drejt Evropës dhe tregjeve të tjera – u rritën me 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, në total për vitin 2025, shitjet e Teslas të prodhuara në Kinë ranë me 7.1%.
Prodhuesi amerikan po përballet me rënie të shitjeve në tregje kyçe evropiane, ndërsa pjesa e tij në tregun konkurrues të automjeteve elektrike në Kinë ka zbritur në 8%, nga 10% që ishte në vitin 2024.
Drejtori ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, ka deklaruar se pret që Evropa dhe Kina të miratojnë sistemin e drejtimit autonom të mbikëqyrur nga shoferi (Full Self-Driving), që brenda këtij muaji.