Botë

Qeveria gjermane synon t'ia marrë zyrën Gerhard Schröderit, argat i Vlladimir Putinit

Si ish-kancelar Gerhard Schröderi gëzon disa privilegje. Për shkak se ai po refuzon me kryeneçësi të distancohet nga Vlladimir Putini dhe të dorëzojë mandatet fitimprurëse të firmave ruse, qeveria po planifikon t'ia konfiskojë Schröderit zyrën dhe t'ia heq shoferin dhe punëtorët e tjerë që paguhen nga shteti gjerman.

Më 24 shkurt Vlladimir Putini sulmoi Ukrainën. Me përjashtim të ndonjë politikani të ekstremit të djathtë apo të majtë, të gjithë të tjerët e kanë dënuar këtë veprim imperialist të diktatorit rus. Por Putini e ka një mik në Gjermani, i cili i qëndron besnik: është Gerhard Schröderi, i cili ka qenë kancelar i Gjermanisë mes viteve 1998-2005.

Schröder e ka dënuar luftën ruse në Ukrainë (me fjalë të buta), por nuk ka pranuar ta kritikojë Vlladimir Putinin, të cilin madje para disa vitesh e pati quajtur "demokrat të pastër si loti". Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Schröderi, përmes Turqisë, vajti në Kremlin për të takuar Putinin me shpresë se mund të ndikojë në ndërprerjen e luftës. Shkoi në Moskë dhe u kthye nga Moska pa arritur asgjë. Por prapëseprapë nuk u distancua nga Putini, as nuk dha dorëheqje nga funksionet që ushtron në firmat ruse të gazit dhe naftës, për të cilat punon si lobist që nga viti 2005.

Opozita gjermane, kolegët nga partia e tij socialdemokrate dhe shumica e mediave kryesore gjermane i kanë bërë thirrje dhe presion Schröderit të dorëzojë mandatet ruse dhe të distancohet nga Putini. Në shumë komente ai titullohet "argat i Putinit" ose "sherbëtor i Kremlinit". Këto akuza serioze vetëm sa e kanë përforcuar kryeneçësinë e Schröderit. Ai mbetet mik i Putinit.

Disa degë të partisë socialdemokrate, e cila qeveris Gjermaninë në koalicion të të gjelbrit dhe liberalët, kanë kërkuar përjashtimin e Schröderit nga partia. Qyteti i Hannoverit ia ka marrë titullin "qytetar nderi". Por asgjë nuk i ka lënë përshtypje ish-kancelarit, i cili më 1999 ka qenë në post kur edhe Gjermania ishte pjesë e sulmeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së cunguar dhe të sunduar nga Sllobodan Millosheviqi. Më vonë Schröder është afruar dukshëm me presidentin autokrat serb Aleksandar Vuçiq. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014, Schröder e ka mbrojtur Putinin duke thënë se edhe Perëndimi e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare më 1999 kur ka intervenuar në Kosovë.

Meqë të gjitha apelet ndaj Schröderit nuk kanë pasur efekt deri më tani, qeveria gjermane synon t'ia marrë atij zyrën. Si ish-kancelar Schröderi ka një zyrë në ndërtesën e Bundestagut, parlamentit gjerman. Në dispozicion të tij qëndrojnë edhe disa punëtorë si dhe një shofer. Qeveria planifikon që punëtorët në zyrën e Schröderit të kryejnë punët e mbetura dhe pastaj të vazhdojnë të punojnë në sektorë të tjerë të administratës. Po ashtu edhe shoferi. Schröderi pritet të mbes pa këto privilegje. Por sipas mediave gjermane ai do të vazhdojë të marrë rrogën si ish-kancelar dhe të gëzojë mbrojtje nga truprojet. Opozita kërkonte që Schröderi të ndëshkohet edhe më ashpër dhe të humb të gjitha privilegjet për shkak se me sjelljen e tij dëmton reputacionin ndërkombëtar të Gjermanisë.