Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qindra policë gjermanë bastisin grupe kriminale të të rinjve neonazistë në 12 shtete

Policia gjermane

Policia gjermane ka bastisur rreth 50 shtëpi dhe lokacione të tjera, duke synuar persona që dyshohen për përfshirje në grupe kriminale të të rinjve të ekstremit të djathtë, që janë shfaqur së fundmi në vend.

Prokurorët kanë thënë se të dyshuarit besohet të jenë pjesë e dy grupeve, “Jung & Stark” (JS), ose “Të rinj dhe të fortë”, dhe “Deutsche Jugend Voran” (DJV), që do të thotë “Përpara Rinia Gjermane”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Asnjë arrestim nuk është bërë gjatë bastisjeve të së mërkurës, të cilat u zhvilluan në 12 shtete federale, kryesisht në lindje dhe jug të Gjermanisë, përfshirë Bavarinë, Berlinin, Brandenburgun dhe Saksoninë.

Në një deklaratë, prokurorët federalë kanë thënë se bastisjet synonin individë të dyshuar për organizimin e dhunës përmes rrjeteve sociale dhe për krijimin e rrjeteve në shkallë kombëtare.

“Disa nga të akuzuarit thuhet se kanë sulmuar anëtarë të skenës së majtë ose persona që i konsideronin pedofilë. Në çdo rast, viktimat janë rrahur nga disa sulmues dhe kanë pësuar lëndime të rënda”, kanë thënë prokurorët.

Autoritetet thonë se gjatë takimeve të tyre, anëtarët e grupeve kanë bërë thirrje “për akte dhune kundër kundërshtarëve politikë dhe kundër pedofilëve të supozuar”.

Vitin e kaluar, një nga drejtuesit e DJV-së u dënua me më shumë se tre vjet burgim pas një serie sulmesh të dhunshme ndaj kundërshtarëve politikë në Berlin.

24-vjeçari Julian M., së bashku me një grup të rinjsh nga 16 deri në 23 vjeç, u shpall fajtor për rrahjen brutale të disa personave që dukeshin se mbanin simbole të lidhura me të majtën politike.

Më shumë se 600 policë morën pjesë në bastisjet e së mërkurës.

Në Gjermani ekziston një shqetësim i thellë për faktin që të rinjtë po tërhiqen drejt aktiviteteve të ekstremit të djathtë dhe dhunës që synon si figura të majta ashtu edhe komunitetet LGBT.

Të dy grupet, JS dhe DJV, veprojnë hapur, me një prani të dukshme online, në platforma si Telegram, Instagram dhe rrjete të tjera sociale.