Botë

Si u festua Viti i ri në botë

paris

Qytete të mëdha anembanë botës, nga Sidnei në Paris e deri në New York, e kanë pritur vitin 2026 me festa madhështore dhe fishekzjarrë, ndërsa në disa vende kremtimet kanë qenë më të përmbajtura për shkak të tragjedive të fundit.

Në Japoni, me të rënë ora 12:00, kambanat e tempujve u dëgjuan në të gjithë vendin, ndërsa disa qytetarë u ngjitën në male për të parë lindjen e parë të diellit të vitit të ri. Në Dubai, një shfaqje dritash e shoqëruar me ski uji akrobatikë tërhoqi vëmendjen e mijëra shikuesve.

Në Paris, numërimi mbrapsht për vitin 2026 u projektua në Harkun e Triumfit, ndërsa në Moskë qytetarët festuan në kushte bore.

Në New York, mijëra persona u mblodhën në Times Square, duke përballuar temperaturat e ulëta, për të ndjekur rënien tradicionale të topit të Vitit të Ri. Policia kishte vendosur masa shtesë sigurie, përfshirë ekipe të lëvizshme kontrolli, megjithëse autoritetet theksuan se nuk kishte ndonjë kërcënim konkret.

Në Rio de Janeiro, turma të mëdha u mblodhën përgjatë mbi katër kilometrave të plazhit Copacabana për koncerte dhe një shfaqje fishekzjarrësh që zgjati 12 minuta, pavarësisht dallgëve të forta dhe baticave të larta.

Në disa qytete, festimet ishin më të zbehta. Hong Kongu organizoi aktivitete të kufizuara pas një zjarri të fundit në një kompleks banesor ku humbën jetën 161 persona. Edhe Australia e priti Vitin e Ri në një atmosferë reflektimi, më pak se një muaj pas sulmit më të rëndë me armë në gati tri dekada.

Ndërkohë, një tragjedi është shënuar në qendrën skijimore zvicerane Crans-Montana, ku një zjarr në një bar në orët e para të Vitit të Ri dyshohet se ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra personave.

Festimet në mbarë botën janë shoqëruar me mesazhe shprese për paqe dhe siguri në vitin 2026, nën masa të shtuara sigurie në shumë kryeqytete.