Qyteti më jugor i Argjentinës, Ushuaia, po përballet me dyshime se mund të jetë pika e origjinës së shpërthimit të hantavirusit në anijen turistike “MV Hondius”. Ndërsa autoritetet lokale mohojnë kategorikisht këtë mundësi dhe theksojnë se në provincë nuk është regjistruar asnjë rast i virusit, ekspertët vazhdojnë hetimet për të zbuluar se ku dhe si nisi infektimi që tronditi industrinë turistike të rajonit.
Si qyteti më jugor i Argjentinës, Ushuaia prej kohësh ka shijuar reputacionin e saj si “Fundi i Botës” dhe si një portë hyrëse për udhëtimet drejt Antarktidës, si edhe për turistët që dëshirojnë të eksplorojnë bukurinë dramatike natyrore të Patagonisë.
Por ditët e fundit, qyteti është përballur me një lloj “goditje” famëkeqe, e cila ka hedhur hije mbi bizneset lokale dhe autoritetet vendore: pretendimin se mund të jetë pika zero e shpërthimit të hantavirusit në anijen holandeze MV Hondius.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAnija turistike ndodhet aktualisht e ankoruar në Tenerife, në Ishujt Kanarine të Spanjës, ku pasagjerët po evakuohen dhe po dërgohen me avion drejt vendeve të tyre. Udhëtimi i saj kishte nisur më 1 prill, më shumë se 9.600 kilometra larg, pikërisht nga Ushuaia, në provincën e Tierra del Fuego.
Në bord ndodheshin 114 pasagjerë dhe 61 anëtarë ekuipazhi nga 22 shtete të ndryshme. Edhe pse besohet se virusi mund të jetë transmetuar nga njerëzit që ishin atje, origjina e saktë e tij - si edhe identiteti i personave të infektuar 0 mbetet ende i paqartë. Kjo pasiguri ka ushqyer spekulime intensive në disa media.
Një teori sugjeron se një pasagjer mund të jetë infektuar në një vendgrumbullim mbeturinash në periferi të Ushuaias, ku turistët shkojnë shpesh për të vëzhguar zogjtë dhe ku mbetjet tërheqin minj dhe brejtës të tjerë. Zyrtarë argjentinas, të cilët kanë folur në mënyrë anonime për disa media, kanë deklaruar se kjo është hipoteza e tyre kryesore.
Megjithatë, ky pretendim nuk është pritur mirë nga banorët vendas.
“Në Tierra del Fuego nuk kemi asnjë rast të regjistruar të hantavirusit në historinë tonë”, deklaroi Juan Facundo Petrina, drejtori i përgjithshëm i Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor në provincë.
“Dhe konkretisht, që prej vitit 1996 - kur Sistemi Kombëtar i Mbikëqyrjes e përfshiu këtë sëmundje në listën e sëmundjeve me raportim të detyrueshëm, nuk kemi pasur asnjë rast të vetëm në Tierra del Fuego”.
Petrina, i cili mori detyrën në vitin 2021 gjatë pandemisë së koronavirusit, e ka përsëritur këtë argument në çdo konferencë për shtyp dhe intervistë që ka dhënë ditët e fundit.
Ai ka theksuar se provinca e tij është një burim shumë i pamundur i infeksionit dhe se zona endemike e hantavirusit ndodhet më shumë se 1.500 kilometra në veri.
“Para së gjithash, ne nuk kemi nënllojin e miut me bisht të gjatë [që transmeton sëmundjen], dhe gjithashtu nuk kemi të njëjtat kushte klimatike si Patagonia veriore - as për sa i përket lagështisë dhe as temperaturës - që do të lejonin zhvillimin e tij”, tha ai.
“Dhe edhe nëse brejtësit do të fillonin të lëviznin, duke qenë se ata nuk respektojnë kufijtë gjeografikë, është e rëndësishme të kujtojmë se ne jemi një ishull.
Ata do të përballeshin me pengesën e kalimit të Ngushticës së Magelanit për të infektuar speciet lokale, ndaj kjo përbën një vështirësi shtesë, përtej klimës”.
Ndërsa shumë ekspertë bien dakord me Petrinën se infeksioni ka pak gjasa të ketë ndodhur në Tierra del Fuego, qeveria kombëtare e Argjentinës ka njoftuar se do të dërgojë një ekip specialistësh në zonë për të përcaktuar nëse ekzistojnë gjurmë të hantavirusit ose nëse miu me bisht të gjatë ka mbërritur në rajon.
Ndryshimi i ekosistemeve
Ekipi do të punojë së bashku me biologët vendas për të kapur minj në vendgrumbullimin e mbeturinave dhe për t’i testuar për virusin. Por dy ditë pas njoftimit, ekspertët ende nuk kishin mbërritur. Kur gazetarët e BBC-së vizituan zonën, mbi grumbujt e mbeturinave fluturonin dhjetëra zogj dhe nuk kishte asnjë shenjë të një hetimi aktiv.
Eduardo Lopez, epidemiolog dhe drejtues i Departamentit të Mjekësisë dhe Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Fëmijëve Ricardo Gutierrez në Buenos Aires, tha se nevojiten hetime të mëtejshme në provincë.
“Ky rast kërkon më shumë studim sepse ekosistemet po ndryshojnë”, tha ai.
“Për shembull, miu i vogël me bisht të gjatë, habitati origjinal i të cilit ishte në Andet Patagoniane dhe në veriperëndim të Argjentinës, tani mund të gjendet edhe në provincën e Buenos Airesit, së bashku me brejtës të tjerë që transmetojnë sëmundjen”.
Urgjenca nuk është vetëm shkencore, por edhe ekonomike. Tierra del Fuego është provinca më e re dhe më pak e populluar e Argjentinës, ku industri si kërkimi i hidrokarbureve dhe peshkimi përbëjnë burime të rëndësishme të ardhurash, ndërsa turizmi renditet menjëherë pas tyre.
Juan Manuel Pavlov, përfaqësues i Institutit Fuegian të Turizmit, tha se më shumë se 95% e anijeve që udhëtojnë drejt Antarktidës nisen nga porti i Ushuaias. “Me më shumë se 500 ndalesa portuale në vit, industria e anijeve turistike është themelore për ekonominë e provincës”.
Deri tani, pavarësisht një rritjeje të ndjeshme të pyetjeve nga operatorët ndërkombëtarë, nuk ka pasur anulime zyrtare të anijeve. Megjithatë, duke qenë se sezoni i tyre përfundoi në mesin e prillit, çdo ndikim afatgjatë mund të marrë muaj të tërë për t’u bërë i dukshëm.
“Përpara kemi një sezon dimëror që presim të jetë shumë i suksesshëm”, tha Pavlov. “Kemi punuar shumë në tregjet tona kryesore dhe nuk duam që diçka e tillë të errësojë gjithë punën që është bërë për t’i dhënë përparësi shëndetit të njerëzve”. Në portin e Ushuaia, jeta duket se po vazhdon normalisht. Turistët shëtisin përgjatë bregdetit dhe mblidhen për ekskursione më të shkurtra - drejt Isla de los Estados, vendi ku ndodhet fari i famshëm “fundi i botës”, ose përgjatë Kanalit Beagle.“Mungesa e rasteve këtu është shumë qetësuese”, tha Adonis Carvajal, i cili punon për një kompani turistike.
“Njerëzit pyesin nëse ka infektime në provincë, dhe fakti që nuk ka raportime për persona të sëmurë këtu i qetëson ata. Mund të ndodhë që varianti i virusit të ketë ardhur nga jugu - këtë askush nuk e mohon - por ai nuk ka origjinën këtu”.
Mes vizitorëve ishte edhe David Bomparp, një venezuelian që jeton në Medellín, i cili kishte mbërritur me partneren e tij, Daniela Sandoval, vetëm pak ditë më parë.
“Ne e planifikuam këtë udhëtim që në tetor dhe vetëm një ditë para se të hipnim në avion morëm vesh se çfarë kishte ndodhur”, tha ai.
“Me aq sa kuptuam ne, asgjë nuk ishte konfirmuar këtu, ndaj erdhëm pa u shqetësuar, duke respektuar masat e sigurisë”.
Daniela, megjithatë, tha se nëna e saj ishte shumë më pak e qetë.
“Ajo më dërgonte gjithë natën video në Instagram dhe lidhje artikujsh sepse ishte e shqetësuar”, tha ajo. “Unë i thashë të mos shqetësohej sepse këtu nuk kishte raste të konfirmuara”.
Aty pranë, turisti nga Costa Rica, Jordan Bermúdez, tha se grupi i tij vendosi të vazhdonte me planet e udhëtimit. Ai tregoi se kishin lexuar për virusin përpara se të mbërrinin nga Punta Arenas më 5 maj, por kjo nuk i kishte penguar.
“Mbërritëm këtu, e gjetëm qytetin mjaft të qetë, bëmë të gjitha turet që kishim planifikuar dhe mendojmë se gjithçka është normale”, tha ai.
Shpërthim ende i paqartë
Autoritetet shëndetësore ende po përpiqen të përcaktojnë se ku ka nisur infeksioni. Ata besojnë se njëri nga çifti holandez që u infektua me virusin dhe humbi jetën ka shumë gjasa të ketë qenë “pacienti zero”.
Zyrtarët janë përpjekur të rindërtojnë itinerarin e udhëtimit të çiftit nëpër Argjentinë, Kili dhe Uruguai, përpara se ata të hipnin në anije në Ushuaia, kryesisht duke përdorur të dhënat e hyrjeve dhe daljeve kufitare.
Autoritetet kiliane dhe uruguaiane kanë deklaruar se çifti nuk e ka marrë virusin në ato vende, duke u bazuar në periudhën e inkubacionit të vlerësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila varion nga një deri në tetë javë.
Petrina u pajtua me idenë se ata ka shumë të ngjarë ta kenë marrë sëmundjen në Argjentinë, por tha se sipas tij kjo mund të ketë ndodhur dy deri në katër javë përpara kroçierës. Sipas tij, infektimi mund të ketë ndodhur në një zonë malore të Patagonisë, ndoshta në provincat Chubut, Neuquén ose Rio Negro.
Ndërkohë, Ministria Kombëtare e Shëndetësisë nuk ka paraqitur ende një teori përfundimtare.
“Nuk mund ta përjashtojmë, në parim, mundësinë që infeksionet të kenë ndodhur në Tierra del Fuego, por ekziston një fakt i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë: që kur Hantavirusi u shpall sëmundje me raportim të detyrueshëm, në këtë provincë nuk është raportuar asnjë rast”, deklaroi ministria.
Shpresohet që evakuimi i pasagjerëve dhe ekuipazhit nga anija MV Hondius në Tenerife mund të ndihmojë në zbulimin e disa të dhënave të reja.
Por për momentin, pa çiftin holandez që mund të plotësonte boshllëqet dhe me autoritetet që ende nuk kanë mundur të rindërtojnë plotësisht lëvizjet e tyre, shumë pyetje mbi mënyrën se si nisi ky shpërthim mbeten ende pa përgjigje.