Rusia ka urdhëruar një evakuim të pjesshëm në rajonin Tver pasi një “sulm masiv ukrainas” me dronë ka shkaktuar zjarre atje, ka thënë guvernatori lokal, raporton “BBC”.
Igor Rudenya ka thënë se shërbimet e emergjencës në qytetin Toropets po tentojnë të lokalizojnë zjarrin të shkaktuar nga mbetja e dronëve. Ai nuk ka treguar nëse ka viktima.
Ndërkohë, pamjet e paverifikuara tregojnë një shpërthim masiv në qytet, ndërsa raportet ende të pakonfirmuara thonë se është goditur një depo e armëve.
Toropets gjendet rreth 380 kilometra në veriperëndim të kryeqendrës ruse Moskës, dhe rreth 470 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën.
Të mërkurën në mëngjes, autoritetet në Toropets kanë thënë se autobusët janë përgatitur për evakuimin.
Ato pretendojnë se situata “është nën kontroll” në qytetin me rreth 13 mijë banorë. Nuk është treguar se sa banorë do të evakuohen.
Ndërkohë mediumet shtetërore ruse kanë raportuar se shkollat dhe çerdhet rajonale do të qëndrojnë të mbyllura të mërkurën.
Sulme gjatë natës janë raportuar edhe në rajonet perëndimore ruse Bryansk, Kursk, Oryol dhe Smolensk.
Autoritetet lokale thanë se afro 50 dronë dhe dy raketa u rrëzuan. Ukraina nuk ka komentuar sulmet.
Ndërkohë mbrojtja ajrore e Ukrainës ka rrëzuar disa drone ruse në afërsi të kryeqendrës Kievit.
Po ashtu pati raportime për shpërthime në qytetin verilindor të Sumyt, në afërsi të kufirit rus.
Nuk ka raportime për ndonjë viktimë.