Izraeli po e shqyrton përgjigjen e grupit militant palestinez të Hamasit ndaj propozimit për armëpushim në Rripin e Gazës, që përfshin marrëveshjen e mundshme për pezullim 60-ditor të luftimeve dhe lirimin e gjysmës së pengjeve izraelite që mbahen ende në territor, kanë bërë të ditur dy zyrtarë izraelitë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Përpjekjet për të ndalur përkohësisht luftimet kanë marrë vrull gjatë javës së fundit, sidomos pas njoftimit të Izraelit për një ofensivë të re që ka për synim të rimarrë kontrollin e qytetit të Gazës.
Zyrtarët e Egjiptit dhe Katarit po ndërmjetësojnë për të rifilluar bisedimet indirekte mbi planin e armëpushimit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas zyrtarëve të Hamasit, propozimi i ndërmjetësve arab parasheh lirimin e 200 palestinezëve të burgosur në Izrael si dhe një numri të paspecifikuar të grave dhe të miturve të burgosur në këmbim të lirimit të 10 pengjeve të gjalla izraelite dhe 18 trupave të të vrarëve që mbahen në Gazë.
Dy burime të sigurisë egjiptiane e kanë konfirmuar përmbajtjen e marrëveshjes, teksa kanë shtuar se Hamasi ka kërkuar po ashtu lirimin e qindra të burgosurve palestinezë që vijnë nga Gaza.
Propozimi gjithashtu përfshinë tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite — të cilat aktualisht kontrollojnë rreth 75 për qind të territorit të Gazës — si dhe rritje të qarkullimit të ndihmave humanitare, për popullsinë mbi 2 milionëshe që po përballet gjithnjë e më shumë me uri ekstreme.
