Botë

Arrin në 290 numri i të vdekurve nga tragjedia ajrore në Indi, sipas policisë

Indi

Foto: Associated Press

Bazuar në raportimin e agjencisë së lajmeve Reuters, numri i personave të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Indi ka arritur 290 persona.
Raportimi citon një oficer të policisë.


Në aeroplan ndodheshin 242 persona. Aeroplani u përplas në një zonë banimi në afërsi të aeroportit në Ahmedabad. 

Një shtetas britanik, që ishte në aeroplan, raportohet se ka shpëtuar. 


Më herët, një zyrtar lokal policor kishte thënë se trupat ishin nxjerrë nga vendi i ngjarjes, përfshirë të atyre në aeroplan dhe në tokë gjatë përplasjes.
 

 


Të paktën 200 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Indi, raportohet për një të mbijetuar

(Përditësuar 16:45) - Komisionieri i Policisë në Ahmedabad ka thënë se një person që ishte në bord i ka mbijetuar rrëzimit të aeroplanit në Indi.

Bëhet fjalë për personin që ishte i ulur në ulësen 11A në aeroplanin e Boeing 787-8 Dreamliner.

Duke folur për agjencinë indiane të lajmeve ANI, zyrtari ka thënë se i mbijetuari “është në spital dhe po trajtohet”.

Sipas dokumenteve të deritashme të publikuara nga autoritetet, pasagjeri në këtë ulëse ishte Vishwas Kumar Ramesh, dhe është me shtetësi britanike.

Mediat në Indi kanë raportuar se kanë folur me Vishwashin në spital. Ai ka treguar biletën dhe pasaportën.

“30 sekonda pas nisjes, ka pasur një zhurmë të madhe dhe më pas aeroplani u përplas. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt”, raportohet të ketë thënë ai.


Të paktën 200 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Indi

(Përditësuar 14:45) - Të gjithë 242 personat në bordin e aeroplanit të Air India kanë vdekur pasi ai është rrëzuar në qytetin perëndimor indian Ahmedabad të enjten, raporton Reuters.

Avioni po shkonte drejt Aeroportit Gatwick, në jug të kryeqytetit britanik, ka bërë të ditur Air India, ndërsa oficerët e policisë thanë se u rrëzua në një zonë banimi pranë aeroportit.

Më shumë se 100 trupa, shumica e të cilëve të djegur rëndë, janë dërguar në spitalin lokal qeveritar për autopsi, ka njoftuar policia.

"Ndërtesa në të cilën është rrëzuar është një konvikt mjekësh... ne kemi pastruar pothuajse 70% deri në 80% të zonës dhe do të pastrojmë pjesën tjetër së shpejti", u ka thënë gazetarëve një oficer i lartë policie.

Pjesë të trupit të aeroplanit ishin të shpërndara rreth ndërtesës në të cilën u rrëzua, treguan fotografi dhe video nga zona.


(Përditësuar 13:51) - Të paktën 30 trupa janë nxjerrë nga aeroplani i rrëzuar në Indi

Trupat e të paktën 30 personave janë nxjerrë deri më tani nga aeroplani i rrëzuar të enjten në Indi, teksa nuk pritet të ketë të mbijetuar.

Aeroplani Air India që udhëtonte për në Londër me 242 persona në bord është rrëzuar pak minuta pasi është ngritur nga qyteti perëndimor i Indisë, Ahmedabad.
Autoritetet kanë thënë se numri i viktimave pritet të rritet. 

Avioni po shkonte drejt Aeroportit Gatwick, në jug të kryeqytetit britanik, ka bërë të ditur Air India, ndërsa oficerët e policisë kanë thënë se aeroplani është rrëzuar në një zonë banimi pranë aeroportit.

"Ndërtesa në të cilën është rrëzuar është një vendqëndrim mjekësh. Ne kemi pastruar pothuajse 70% deri në 80% të zonës dhe do të pastrojmë pjesën tjetër së shpejti", u ka thënë gazetarëve një oficer i lartë policie.
Kanalet televizive indiane kanë raportuar se aeroplani është rrëzuar sipër një konvikti shtetëror të Kolegjit Mjekësor, duke lënë të vdekur edhe shumë studentë mjekësie. 

Një burim i ka thënë Reuters se pasagjerët përfshinin 217 të rritur, 11 fëmijë dhe dy foshnje. Prej tyre, 169 ishin shtetas indianë, 53 britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez, sipas Air India.

Faqja e ndjekjes së aviacionit Flightradar24 ka thënë se avioni ishte një Boeing 787-8 Dreamliner, një nga avionët më modernë të pasagjerëve në shërbim.

Ky ishte aksidenti i parë për Dreamliner, i cili filloi të fluturonte komercialisht në vitin 2011, sipas bazës së të dhënave të Aviation Safety Netëork. 

Aeroplani që është rrëzuar të enjten ka fluturuar për herë të parë në vitin 2013 dhe i është dorëzuar Air India në janar 2014, sipas Flightradar24.


(Përditësuar 12:03) -  53 shtetas britanikë në bordin e aeroplanit të rrëzuar në Indi

Pesëdhjetë e tre shtetas britanikë ishin në bordin e fluturimit që po shkonte për në aeroportin Gatwick të Britanisë, ka bërë të ditur Air India të enjten.

Sipas Air India 169 persona ishin me shtetësi indiane, shtatë portugeze dhe një kanadez.


Aeroplani është rrëzuar pak minuta pasi ishte ngritur nga aeroporti. 
 
 



 (Përditësuar 11:22) - Momenti i rrëzimit të aeroplanit me mbi 200 persona në bord

Mediat indiane kanë publikuar momentin kur aeroplani me 232 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit është rrëzuar në Indi.

Aeroplani siç duket në video, ka rënë pak sekonda pasi është ngritur në qiell dhe jashtë perimetrit të aeroportit.

Nuk dihet ende numri i viktimave.

VIDEO:


(Përditësuar 11:17) - Aeroplani në Indi është rrëzuar në një zonë banimi më pak se një minutë pas ngritjes

Aeroplani i cili është rrëzuar në Indi të enjten, raportohet të ketë rënë në një zonë banimi.

Në bordin e aeroplanit të Air India, i cili ishte nisur drejt Britanisë së Madhe, ishin mbi 240 persona në momentin e rrëzimit. 

Më shumë tani nga faqja e internetit e gjurmimit të fluturimeve Flight Radar, e cila më parë tha se sinjali humbi sekonda pas ngritjes.

Flight Radar ka thënë se fluturimi ishte planifikuar të fluturonte për në Aeroportin Gatëick të Londrës në orën 09:50 sipas orës lokale. Ora e mbërritjes së tij e planifikuar ishte 18:25 sipas orës lokale.

Sinjali i aeroplanit kishte humbur në 625 metra, më pak se një minutë pas ngritjes.


Rrëzohet në Indi një aeroplan me mbi 240 persona në bord

Një aeroplan i Air India është rrëzuar në aeroportin e qytetit perëndimor të Indisë, Ahmedabad, raportuan kanalet televizive të enjten, pa specifikuar nëse ka viktima.

Avioni po shkonte për në Birmingham të Britanisë së Madhe, ka thënë një burim nga aviacioni për Reuters.

Rrëzimi ka ndodhur kur avioni po ngrihej, raportuan kanalet televizive. Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregonin flakë dhe tym të zi që ngrihej në qiell pranë aeroportit.

Më shumë se 240 persona ishin në bordin e fluturimit, kanë thënë kanalet.

Pamjet tregonin gjithashtu njerëz që transportoheshin me barela dhe që merreshin me ambulanca.
 

VIDEO: