Botë

Rusia pret të dakordohet për rundin e tretë të bisedimeve me Ukrainën

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të premten se Rusia pret që të arrijë dakordim me Ukrainën brenda javës së ardhshme rreth rundit të tretë të bisedimeve për paqen, ka raportuar Reuters.

“Udhëheqësi i delegacionit rus në dy takimet paraprake, Vladimir Medinsky, është në kontakt me homologun e tij ukrainas”, ka shtuar Peskov.

Të dyja palët zhvilluan takime të drejtpërdrejta në Stamboll, respektivisht më 16 maj dhe 2 qershor, të cilat rezultuan me marrëveshjen për shkëmbimet e të burgosurve dhe riatdhesimin e trupave të ushtarëve të vdekur.

Mirëpo, deri më tani s’ka pasur progres në drejtim të marrëveshjes së armëpushimit të cilën Ukraina, me mbështetjen perëndimore, ka këmbëngulur prej kohësh ta arrijë. Zyrtarët e lartë rusë kanë thënë se dëshirojnë zgjidhje përfundimtare, jo thjesht ndërprerje të luftimeve, teksa kanë paraqitur edhe kërkesa të reja që kundërshtohen nga Kievi zyrtar.

Konflikti është intensifikuar në javët e fundit, përderisa Rusia ka ndërmarrë disa nga sulmet më të fuqishme ajrore që prej fillimit të luftës, në kundërpërgjigje ndaj sulmit të befasishëm me dronë të Ukrainës mbi bazat e saj ajrore në fillim të muajit.