Botë

Rusia rikthen katër fëmijë ukrainas pas marrëveshjes me Katarin

Rusia është pajtuar t’i kthejë katër fëmijë ukrainas te familjet e tyre, si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari.

Fëmija më i vogël është dyvjeçar, ndërkaq më i madhi 17-vjeçar.

Ky kthim është pjesë e një plani për rikthimin e mijëra fëmijëve të marrë nga Rusia qysh kur nisi pushtimin e Ukrainës.

Ukraina ka thënë se ka identifikuar 20.000 fëmijë që janë marrë nga Rusia. Sidoqoftë, numri pretendohet të jetë më i madh.

Gjykata ndërkombëtare penale ka lëshuar një urdhërarrest për presidentin rus, Vladimir Putin në mars, duke e akuzuar atë dhe komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova se jashtëligjshëm kanë deportuar fëmijë jashtë Ukrainës.

Rusia ka insistuar se motivet kanë qenë humanitare duke deklaruar se kanë evakuuar qindra-mijëra fëmijë ukrainas për t’i mbrojtur nga rreziku.