Botë

SHBA-ja dhe Rusia përplasen për Ukrainën në G-20

Blinkeni është takuar me Lavrovin për 10 minuta anash samitit. Zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit kanë thënë se Blinkeni i ka thënë homologut rus se Perëndimi do ta përkrahë Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Blinkeni gjithashtu i ka bërë presion Rusisë që të kthehet në traktatin për kontrollin e armëve bërthamore nga i cili është tërhequr së fundmi.

Përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë janë përplasur në lidhje me Ukrainën në samitin e G-20 që ka nisur të enjten në Indi. Nikoqirja, India, ka njoftuar se shkaku i mosmarrëveshjeve nuk do të ketë deklaratë të përbashkët.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se samiti është prishur nga “lufta e paprovokuar dhe e paarsyetuar” e Rusisë. Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar Perëndimin për “shantazh dhe kërcënime”.

India ka njoftuar se dëshironte që fokusi i shteteve të jetë në çështje tjera, por ka thënë se dallimet në lidhje me Ukrainën nuk mund të tejkaloheshin.

“Tentuam, por dallimet ishin shumë të mëdha”, ka thënë ministri i Jashtëm i Indisë, J Jaishankar.

G-20, që përfshin 19 shtetet më të pasura në botë plus Bashkimin Evropian, është përgjegjës për 85 për qind e tregut ekonomik dhe dy të tretat e popullsisë.

Grupi i ministrave të jashtëm – përshirë rusin Lavrov, amerikanin Blinken dhe kinezin Qin Gang, janë takuar në Delhi nën presidencën indiane. Ishte takimi i parë i kryediplomatëve amerikan dhe rus qëkur nisi lufta në Ukrain para një viti.

Blinkeni është takuar me Lavrovin për 10 minuta anash samitit. Zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit kanë thënë se Blinkeni i ka thënë homologut rus se Perëndimi do ta përkrahë Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Blinkeni gjithashtu i ka bërë presion Rusisë që të kthehet në traktatin për kontrollin e armëve bërthamore nga i cili është tërhequr së fundmi.

Zyrtarët rusë kanë mohuar zhvillimin e bisedimeve në këtë samit. Më herët të enjten, Rusia ka akuzuar Perëndimin për shkeljen e marrëveshjes që mundëson eksportin e grurit ukrainas – por SHBA-ja ka reaguar duke thënë se Moska ka bllokuar eksportin e grurit.

Ndërkaq, zyrtarët rusë kanë thënë se Moska e Pekini janë pajtuar që të kundërshtojnë atë që e kanë quajtur shantazh dhe kërcënim të Perëndimit - mirëpo kjo nuk është konfirmuar nga Kina.

“Ne flasim për sjellje. Epo, homologët tanë perëndimorë janë bërë shumë keq me këto”, ka thënë Lavrov pas bisedimeve të së enjtes. “Ata nuk po mendojnë më për diplomaci, tani merren vetëm me shantazh dhe kërcënim të gjithë të tjerëve”.

Kryeministri indian, Narendra Modi, kishte hapur seancën duke folur për vendet në zhvillim, duke thënë se të pranishmit kishin përgjegjësi ndaj tyre.

Ishte një fjalim i rrallë i Modit në gjuhën angleze - shenjë se sa seriozisht donte që mesazhi i tij të merrej. Ai nuk bëri asnjë referencë të drejtpërdrejtë për luftën në Ukrainë, por pranoi se diskutimet do të ndikoheshin nga tensionet gjeopolitike.

Slogani i Indisë për G20 është “Një tokë, një familje, një e ardhme”. Modi u bëri thirrje delegatëve që ta marrin në zemër dhe të fokusohen në çështjet që i bashkojnë ata.

Përpara bisedimeve, një ish-diplomat indian i tha BBC-së se India do të duhet të “bëjë diçka të veçantë” për t'i nxitur delegatët që të anashkalojnë dallimet e tyre mbi luftën.

Përktheu: Gent Mehmeti