Botë

SHBA-ja dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet e rralla

Ukraina dhe SHBA

SHBA-ja ka nënshkruar një marrëveshje me Ukrainën për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve të saj energjetike dhe minerale, pas muajsh negociatash të tensionuara.

Të dy vendet kanë rënë dakord të krijojnë një fond investimi rindërtimi për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës nga lufta e saj me Rusinë, raporton BBC.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka thënë se kjo tregon se të dyja palët janë të përkushtuara për paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në Ukrainë. Për Kievin, marrëveshja shihet si thelbësore për marrjen e ndihmës ushtarake të SHBA-së.

Ukraina besohet se ka rezerva të mëdha të mineraleve kritike si grafiti, titani dhe litiumi. Ato janë shumë të kërkuara për shkak të përdorimit të tyre në energjinë e rinovueshme, aplikimet ushtarake dhe infrastrukturën industriale.

Marrëveshja vjen në mes të një lufte tregtare të SHBA-së me Kinën, ku 90% e stoqeve aktuale të mineraleve të rralla në botë e kanë burimin.

Sipas deklaratës nga Thesari i SHBA-së të mërkurën pasdite, Fondi i ri i Investimeve për Rindërtim SHBA-Ukrainë njeh "mbështetjen e rëndësishme financiare dhe materiale" që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës që kur Rusia pushtoi në shkurt të vitit 2022.

Kremlini ende nuk i është përgjigjur marrëveshjes.

Trump: Marrëveshja për mineralet na jep më tepër se që kemi dhënë për Ukrainën

1 o. më parë / 1 maj 2025 09:20
Trump, Zelensky

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë komentet e tij të para publike mbi marrëveshjen e mineraleve me Ukrainën, e cila është nënshkruar të mërkurën.

Duke folur për Neës Nation, ai ka thënë se marrëveshja përfaqëson kthimin e parave që SHBA-ja ka shpenzuar për luftën në Ukrainë deri më tani.

“Bideni u dha atyre 350 miliardë dollarë. Ne bëmë një marrëveshje ku ne teorikisht marrim shumë më tepër sesa 350 miliardë dollarë”, ka deklaruar Trumpi.

Trumpi ka pretenduar vazhdimisht se SHBA-ja ka shpenzuar rreth 350 miliardë dollarë për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, mirëpo një analizë e BBC Verify ka zbuluar se shuma aktuale është shumë më e ulët.

Moderatori Bill O'Reilly e ka pyetur presidentin se për çfarë ka folur kur është ulur me Zelenskyn në funeralin e Papa Françeskut javën e kaluar.

“Unë po i thoja atij se është një gjë shumë e mirë nëse ne mund të bëjmë një marrëveshje dhe ju ta nënshkruani atë”, është shprehur Trump.