SHBA-ja ka sulmuar tri objekte bërthamore në Iran. Janë sulmuar objektet Fordow, Natanz dhe Esfahan.
Presidenti amerikan Donald Trump, në një adresim publik, e ka quajtur këtë sulm si “sukses të madh ushtarak”.
“Sot, mund t’i raportojë botës se sulmet ishin sukses spektakular ushtarak. Objektet kyçe të pasurimit nuklear janë shkatërruar tërësisht”, tha Trump, në paraqitjen e tij të parë publike pas sulmit.
Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë sulme ndaj objekteve tjera nëse Irani nuk bën paqe.
“Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, tash duhet të bëjë paqe. Nëse nuk bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta. Kjo mund të vazhdojë. Ose do të ketë paqe, ose do të ketë tragjedi për Iranin. Një tragjedi shumë më e madhe se që kemi parë tetë ditëve të fundit. Mos harroni, kanë mbetur shumë objektiva”, tha Trump.
Trump tha se mund të sulmohen objektivat tjera me saktësi, shpejtësi dhe aftësi dhe atë brenda pak minutash.
E në “Truth Social”, Trump tha se Irani do të përballet me hakmarrje të madhe nëse vendos të përgjigjet me forcë.
Para se të mbante adresimin publik, Trump kishte njoftuar në “Truth Social” për sulmin.
“E kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tri objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordoë, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tani ndodhen jashtë hapësirës ajrore iraniane”, shkroi Trump.
Në sulm raportohet se u përdorën aeroplanit B-2, nga të cilët u hodhën 12 bomba GBU-57, të njohura si shkatërruese të bunkerëve, e po ashtu nga nëndetëset u lansuan 30 “Tomahawks”, transmetoi “Fox News”.
Agjencia Botërore për Energji Atomike ka thënë se aktualisht nuk ka rritje të nivelit të rrezatimit jashtë tri objekteve që janë goditur nga SHBA-ja.
Zyrtarët iranianë kanë mohuar pretendimet e Trumpit se objektet nukleare janë shkatërruar.
Mohammad Manan Raisi ligjvënës nga Qom, ku gjendet objekti Fordow, tha se objekti nuk është dëmtuar rëndë.
E Hassan Abedini tha se materiali ishte larguar nga objektet më herët.
“Rezervat e uraniumit të pasuruar janë transferuar nga ato qendra nukleare dhe nuk ka materiale atje, që nëse shënjestrohen, do të shkaktonte rrezatim”, tha Abedini, zëvendëskryesues politik për transmetuesn shtetëror iranian.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, ka paralajmëruar “pasoja të përjetshme”, duke e cilësuar sulmin si shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar, kanë kryer një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së, të së ndretës ndërkombëtare dhe NPT-së, duke sulmuar instalimet bërthamore paqësore të Iranit. Ngjarja e këtij mëngjesi është skandal dhe do të ketë pasoja të pëjetshme. Çdo anëtar i OKB-së të alarmohet për këtë sjellje të rrezikshme, të paligjshme dhe kriminale. Në përputhje me Kartën e OKB-së dhe dispozitat e saja që lejojnë një përgjigje në vetëmbrojtje, Irani rezervon të gjitha opsionet për t’i mbrojtur sovranitetin, interesin dhe popullin e vetë”, ka shkruar Araghchi në rrjetet sociale.
E nga Ministria e Jashtme e Iranit u tha se "SHBA-ja ka nisur luftë të rrezikshme ndaj Iranit".
Irani ka kërkuar mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar për sulmin.
Sulmet janë dënuar edhe nga Hamasi në Gaza dhe Houthit në Jemen, grupe militante që përkrahen nga Irani.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përgëzuar sulmin.
“Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: ‘Paqe nëpërmjet forcës’. Së pari vjen forca, më pas paqja. Dhe sot, presidenti Trump dhe SHBA-ja vepruan me shumë forcë”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Netanyahu.
Trump e përgëzoi Netanyahun duke thënë se kanë punuar si ekip për ta eliminuar këtë “rrezik të tmerrshme ndaj Izraelit”.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka quajtur “përshkallëzim i rrezikshëm”, sulmin e SHBA-së.
“Tash ka një rrezik të madh që konflikti në mënyrë të shpejtë mund të dalë nga kontrolli – me pasoja katastrofale për civilët, rajonin dhe botën. Është me rëndësi të evitohet spiralja e kaosit. Nuk ka zgjidhje ushtarake. Mënyra e vetme para është diplomacia. Shpresa e vetme është diplomacia”, ka shkruar Guterres në platformën “X”.
Në SHBA, senatorët demokratë e kanë kritikuar vendimin e Trumpit për sulmin ndaj Iranit pa marrë aprovimin paraprak nga Kongresi.
Nga Shtëpia e Bardhë, të enjten ishte thënë se Irani ka dy javë kohë për të bërë marrëveshje, por sulmet nisën pas dy ditëve.
Senatori demokrat Bernie Sanders tha se Trump bëri “shkelje të rëndë Kushtetuese”.
“Entiteti i vetëm që mund ta çojë këtë vend në luftë është Kongresi i SHBA-së. Presidenti nuk e ka këtë të drejtë”, tha Sanders.
E kongresistët republikanë kanë përkrahur vendimin e Trumpit.
Është thënë se SHBA-ja ka kontaktuar Iranin nëpërmjet kanaleve diplomatike të shtunën duke thënë se sulmet ajrore janë e gjitha që do të bëjë dhe se “nuk e ka plan ndryshimin e regjimit”.
