Botë

SHBA-ja heq përcaktimin si “organizatë terroriste” për Hayat Tahrir al-Sham në Siri

Donald Trump dhe Ahmed Al-Sharaa

Donald Trump dhe Ahmed Al-Sharaa, Riad, maj 2025

Foto: Associated Press

Administrata e presidentit Donald Trump, ka revokuar përcaktimin “organizatë e huaj terroriste” për Frontin al-Nusrah, i njohur edhe si Hayat Tahrir al-Sham, sipas një memoje të Departamentit të Shtetit të paraqitur të hënën.

Lëvizja shënon një kthesë të madhe teksa Uashingtoni po lehtëson sanksionet ndaj Sirisë, raporton Reuters.

Memoja e datës 23 qershor është nënshkruar nga sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.

Ky veprim vjen një javë pasi Trumpi ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që i jepte fund një programi sanksionesh të SHBA-së ndaj Sirisë, për të ndihmuar në përfundimin e izolimit të vendit nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe duke u bazuar në premtimin e Uashingtonit për ta ndihmuar atë të rindërtohet pas një lufte civile shkatërruese.

"Në konsultim me Prokurorin e Përgjithshëm dhe sekretarin e Thesarit, unë revokoj përcaktimin e Frontit al-Nusrah, i njohur edhe si Hayat Tahrir al-Sham (dhe pseudonime të tjera) si një Organizatë Terroriste e Huaj", ka shkruar Rubio në memo.

Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, më parë ishte dega e al-Kaidës në Siri, ose Fronti Nusra. Në dhjetor, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa udhëhoqi HTS-në, e cila së bashku me rebelë të tjerë islamistë kreu një ofensivë të rrufeshme që rrëzoi ish-presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad.

HTS-ja e Sharaas i ka ndërprerë lidhjet me al-Kaedën vite më parë dhe thotë se dëshiron të ndërtojë një Siri gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Sharaa dhe Trump janë takuar në Riad në maj, ku, në një ndryshim të madh politik, Trumpi njoftoi papritur se do të hiqte sanksionet e SHBA-së ndaj Sirisë, duke bërë që Uashingtoni të lehtësonte ndjeshëm masat e tij.