Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja kryen sulme të reja ndaj Iranit, Trumpi paralajmëron goditjen e objekteve bërthamore

Iran

Foto: Associated Press

SHBA-ja ka nisur vonë të martën sulme ndaj Iranit për natën e 11-të radhazi, ndërsa Teherani ka paralajmëruar Uashingtonin të mos shënjestrojë objektet e tij bërthamore.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) ka thënë se vala e sulmeve ishte "projektuar për të vazhduar dobësimin e aftësisë së Iranit për të kërcënuar transportin tregtar detar" në Ngushticën e Hormuzit.

Mediat shtetërore iraniane kanë raportiar se mbrojtja ajrore u aktivizua në kryeqytetin Teheran. Shpërthime janë raportuar gjithashtu në Tabriz, Çabahar, Konarak dhe në Bushehr, ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor i Iranit.

Irani, i cili është kundërpërgjigjur ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme, ka paralajmëruar hakmarrje pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja së shpejti do të godiste një objekt nëntokësor bërthamor pranë Natanzit.

Irani dhe SHBA-ja kanë rënë dakord për një armëpushim në prill, por armiqësitë rifilluan javën e kaluar, ndërsa të dy vendet u përplasën për kontrollin e rrugës ujore jetike të Ngushticës së Hormuzit.

Edhe Vazhdojnë sulmet SHBA-Iran, s’ka tërheqje nga asnjëra palë Botë 22 o. më parë Vazhdojnë sulmet SHBA-Iran, s’ka tërheqje nga asnjëra palë

Centcom ka njoftuar se forcat amerikane kishin goditur qendra të operacioneve ushtarake iraniane, kapacitete detare, hangarë avionësh, depo dronësh dhe infrastrukturë logjistike ushtarake.

Gjithashtu, ajo ka akuzuar Iranin se gjatë tre muajve të fundit kishte sulmuar më shumë se 30 anije tregtare që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit.

"Këto sulme të pajustifikuara kanë rrezikuar qindra marinarë të pafajshëm dhe kanë minuar lirinë e lundrimit”, thuhet në një deklaratë, duke shtuar se rruga ujore mbetet e hapur për kalimin e anijeve tregtare.

Ushtria e Kuvajtit ka njoftuar mëngjesin e së mërkurës se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore po përballeshin me sulme me dronë nga Irani, ndërsa Bahrejni dhe Jordania kanë thënë se kishin penguar gjithashtu sulme me dronë dhe raketa.

Më herët, Trumpi ka thënë se objektivi i ardhshëm ushtarak mund të ishte një kompleks i njohur si Pickaxe Mountain, një objekt nëntokësor bërthamor ku Irani dyshohet se po ndërton një impiant të padeklaruar për pasurimin e uraniumit.

"Do ta godasim atë zonë shumë shpejt dhe me forcë të madhe”, ka thënë Trumpi gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, në një takim me presidentin e Libanit, Joseph Aoun.

Ai ka shtuar se zakonisht nuk do të shpallte objektivat ushtarake paraprakisht, por "nuk ka asgjë që ata mund të bëjnë për ta parandaluar".

Trump ka kërcënuar gjithashtu se do të "merrej" me rebelët Houthi nëse grupi militant i mbështetur nga Irani në Jemen do ta zbatonte kërcënimin për të bllokuar portet saudite.

Edhe Ndërmjetësit kërkojnë 10 ditë armëpushim SHBA-Iran Botë 1 d. më parë Ndërmjetësit kërkojnë 10 ditë armëpushim SHBA-Iran

Më herët, një zyrtar i mediave të Houthive kishte deklaruar se ata po mbyllnin Ngushticën Bab al-Mandab, hyrjen jugore të Detit të Kuq, për anijet saudite.

Deti i Kuq është bërë një rrugë jetike për transportin e naftës nga Arabia Saudite gjatë luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila ka çuar në mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit.