Botë

SHBA-ja nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim bërthamor me Hungarinë

Marco Rubio

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po qëndron të hënën në kryeqytetin hungarez për takime me kryeministrin Viktor Orban dhe qeverinë e tij, gjatë të cilave është nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim civil bërthamor.

Trumpi ka qenë i hapur në mbështetjen e tij për Orbanin i cili synon rizgjedhjen në zgjedhjen kombëtare të 12 prillit. 

Orban dhe partia e tij Fidesz po përballen me sfidën më serioze që nga rikthimi i tij në pushtet në vitin 2010.

Ndalesa në kryeqytetin hungarez pasoi vizitën e Rubios në Sllovaki të dielën, pasi paraprakisht ai ishte prezent në Konferencën e Sigurisë në Munih, në Gjermani.

Të udhëhequra nga populistë euroskeptikë që kundërshtojnë mbështetjen për Ukrainën dhe mbështesin hapur Trumpin, Sllovakia dhe Hungaria përfaqësojnë terren miqësor për Rubion, ndërsa ai përpiqet të forcojë marrëveshjet energjetike me të dy vendet e Evropës Qendrore.

I konsideruar si mbështetësi më i besueshëm i presidentit rus, Vladimir Putin në Bashkimin Evropian, Orban ka ruajtur marrëdhënie të ngrohta me Kremlinin pavarësisht luftës së tij kundër Ukrainës, ndërkohë që ka kultivuar mbështetje nga Trumpi dhe lëvizja e tij MAGA.

Shumë në MAGA dhe në botën më të gjerë konservatore e shohin Hungarinë si një shembull të nacionalizmit konservator të suksesshëm, pavarësisht erozionit të institucioneve të saj demokratike dhe faktit që është një nga vendet më të varfra të BE-së.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social më herët këtë muaj, Trumpi ka mbështetur Orbanin për zgjedhjet e ardhshme dhe e ka quajtur atë “një lider vërtet të fortë dhe të fuqishëm” dhe “një mik të vërtetë, luftëtar dhe fitues”.

Trumpi ka lavdëruar kundërshtimin e fortë të Orbanit ndaj emigracionit, të ilustruar nga gardhi që qeveria e tij ngriti në kufirin jugor të Hungarisë në vitin 2015, kur qindra mijëra refugjatë po largoheshin nga Siria dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

Ndërkohë, detajet e marrëveshjes civile bërthamore nuk janë bërë të njohura përpara nënshkrimit të së hënës në Budapest.

Gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë në nëntor, Orbani kishte rënë dakord për bashkëpunim SHBA–Hungari në industrinë bërthamore civile, përfshirë blerjen e reaktorëve bërthamorë kompaktë, të njohur si reaktorë modularë të vegjël (SMR), si dhe magazinimin e karburantit të përdorur.

Rubio thotë se fitorja e Orbanit në zgjedhje është në interesin kombëtar të SHBA-së

38 min. më parë / 16 shk 2026 13:56
Marco Rubio dhe Viktor Orban, Budapest, 16 shkurt 2026

Marco Rubio dhe Viktor Orban, Budapest, 16 shkurt 2026

Photo: Associated Press

Presidenti Donald Trump është i përkushtuar ndaj suksesit të kryeministrit hungarez Viktor Orban, sepse udhëheqja e tij është thelbësore për interesat kombëtare të SHBA-së, ka thënë të hënën sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke ofruar një mbështetje të fortë amerikane për liderin nacionalist afatgjatë, i cili përballet me zgjedhje në prill.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Orbanin të hënën në Budapest, Rubio ka thënë se marrëdhëniet SHBA–Hungari po hyjnë në një “epokë të artë”, por la të kuptohej se kjo varej nga vazhdimi i udhëheqjes së Orbanit.

“Presidenti Trump është thellësisht i përkushtuar ndaj suksesit tuaj, sepse suksesi juaj është suksesi ynë,” ka thënë Rubio, teksa qëndronte pranë Orbanit.

“Ne duam që ky vend të ecë mirë. Është në interesin tonë kombëtar, veçanërisht për aq kohë sa ju jeni kryeministër dhe lider i këtij vendi”, ka shtuar ai.

Rubio, i cili shërben gjithashtu si këshilltar për sigurinë kombëtare i Trumpit, po zhvillon një tur dyditor në Evropën Qendrore, duke vizituar të dielën Sllovakinë ndërkaq të hënën Hungarinë, liderët konservatorë të të cilave kanë marrëdhënie të ngrohta me Trumpin dhe janë kritikë ndaj Bashkimit Evropian.

Në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, që pritet të jenë shumë të kontestuara, Orban përballet me sfidën e tij më të madhe që nga ardhja në pushtet e partisë së tij Fidesz me një fitore dërrmuese në vitin 2010.

Votimi do të ketë pasoja të mëdha për Evropën dhe për forcimin e lëvizjeve konservatore dhe të djathta ekstreme në kontinent.

Orban, prej kohësh një nga aleatët më të afërt të Trumpit në Evropë, është përplasur shpesh me BE-në për një sërë çështjesh, ndërsa ka ruajtur marrëdhënie të përzemërta me Rusinë dhe ka kritikuar Ukrainën.

Ai konsiderohet nga shumë në të djathtën e ashpër amerikane si model për politikat e ashpra të Trumpit ndaj emigracionit dhe për mbështetjen e konservatorizmit të krishterë.

Orbani ka thënë ndërkaq se “rishikuan dhe shqyrtuan” marrëdhëniet dypalëshe, pasi ka një president “të ri” amerikan, me të cilin, sipas tij, edhe ai duhet të përshtatet.

“Një epokë e re e artë ka nisur në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Hungarisë”, ka deklaruar Orban. 

“Nuk më kujtohet, megjithëse prej mbi 30 vitesh jam i pranishëm në politikë – hera e fundit kur marrëdhëniet mes dy kombeve kanë qenë në një nivel kaq të lartë, kaq të balancuar dhe kaq miqësor.

Prandaj falënderimet e mia të përzemërta shkojnë për presidentin Trump”, ka shtuar Orbani.